BE shpreh zhgënjim për moscertifikimin e partive serbe në Kosovë

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj procesit të certifikimit të partive politike për zgjedhjet lokale në Kosovë, duke shprehur zhgënjim për faktin që dy subjekte politike serbe nuk u certifikuan.
Në një deklaratë të zëdhënësit të BE-së, theksohet se “BE-ja shpreh zhgënjim për moscertifikimin e 2 partive politike serbe të Kosovës. Ne shprehim keqardhje për qëndrimin e marrë nga Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit”.
Sipas BE-së, një proces zgjedhor i suksesshëm duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të lejojë pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.
Deklarata nënvizon se “çdo përjashtim i aktorëve politikë bie ndesh me parimin themelor të pjesëmarrjes kuptimplote demokratike”.
BE-ja kërkon nga institucionet përgjegjëse të Kosovës që të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke siguruar që procesi i certifikimit dhe ankesat e mundshme të trajtohen në përputhje me parimet e sundimit të ligjit.
BE-ja paralajmëroi se karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale është i rëndësishëm për marrëdhënien e ardhshme mes Kosovës dhe BE-së, duke bërë të qartë se do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




