Begaj dekretoi ligjin për zonat e mbrojtura, Bardhi: Prevaloi interesi korruptiv i klientëve të Ramës

Politikë | 3 vite më parë

Pasi presidenti i vendit Bajram Begaj dekretoi ligjin për zonat e mbrojtura, ka reaguar edhe kreu i grupi parlamentar të Partisë Demokratike të Rithemelimit, Gazment Bardhi.

Bardhi shprehet se kreu i shtetit humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik.

Sipas tij, në këtë rast prevaloi interesi “korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptar.”

“Përsëri sot Presidenti i Republikës humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik. Dekretimi prej tij i ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura është tjetër provë se për Kreun e Shtetit në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptarë”, shprehet Bardhi.

Bardhi nënvizoi më tej se “që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, që lidhej me interesat personale të tij. Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues”

Ai shtoi se Shqipëria ka nevojë urgjente për rikthimin e balancës mes pushteteve dhe sipas tij, “rikthimi i mekanizmave demokratike dhe mbrojtja e demokracisë është më i domosdoshëm se kurrë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme