Begaj në samitin e Sofjes: Bashkëpunimi rajonal, domosdoshmëri për të ardhmen e përbashkët evropiane

Politikë | 5 muaj më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Sofje, ku theksoi se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor mbetet kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

Ai deklaroi se Shqipëria po punon për forcimin e ndërlidhjes rajonale përmes projekteve strategjike si Korridori VIII, Porto Romano dhe korridori Adriatiko-Jonian, duke nënvizuar se bashkëpunimi duhet të sjellë rezultate konkrete për qytetarët.

Presidenti Begaj ritheksoi përkushtimin e vendit ndaj reformave dhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me synimin për ta përmbyllur këtë proces brenda kësaj dekade.

“Në Samitin e SEECP-së në Sofje patëm një diskutim të frytshëm dhe dakordësi për forcim të stabilitetit, të sigurisë dhe integrimit evropian  përmes bashkëpunimit më të fortë rajonal, pavarësisht diversitetit mes nesh. Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj kësaj rruge. Ne po avancojmë agjendën tonë të reformave dhe po ecim përpara në procesin e anëtarësimit në BE, me objektivin për ta përmbyllur këtë proces brenda kësaj dekade. Ajo që çon përpara një vend, kontribuon në stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithëve.  Faleminderit Presidencës së Sofjes për organizimin, mikpritjen dhe punën e shkëlqyer në këtë 30-vjetor të kësaj nisme! Suksese Presidencës së Bukureshtit të SEECP-së!”, shkruan Begaj.

Në Sofje, Begaj zhvilloi edhe një takim me Presidentin bullgar Rumen Radev, ku u konfirmua mbështetja e Bullgarisë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme