Begaj përshëndet marrëveshjen Izrael-Hamas: Hap i rëndësishëm drejt paqes së qëndrueshme. Spiropali: Një hap më pranë heshtjes së armëve

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka përshëndetur marrëveshjen Izrael-Hamas të shpallur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Presidenti Begaj e vlerësoi këtë arritje, që është faza e parë e planit të Presidentit Trump për paqen, si një “hap të rëndësishëm drejt paqes së qëndrueshme dhe të drejtë, ndërprerjes së armiqësive dhe lirimit të pengjeve”.
Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e Presidentit Trump për kontributin dhe përkushtimin e tij në arritjen e këtij procesi historik për paqen, ndërsa shprehu besimin se dialogu dhe mirëkuptimi mbeten rruga e vetme drejt një të ardhmeje të qëndrueshme në rajonin e Lindjes së Mesme.
“Arritja e marrëveshjes së fazës së parë të planit të paqes midis Izraelit dhe Hamasit, një hap i rëndësishëm drejt paqes së qëndrueshme dhe të drejtë, ndërprerjes së armiqësive dhe lirimit të pengjeve. Vlerësoj rolin e Presidentit Donald J. Trump për kontributin dhe përkushtimin e tij në arritjen e këtij procesi historik për paqen. Besoj se dialogu dhe mirëkuptimi mbeten rruga e vetme drejt një të ardhmeje të qëndrueshme në rajonin e Lindjes së Mesme”, tha Begaj.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar në rrjetin e saj social X në lidhje me Fazën e I-rë të marrëveshjes së paqes në Gaza. Sipas Spiropalit, ky hap shënon një zhvillim të rëndësishëm të rrallë dhe jetik.
“Mirëpresim lindjen e shpresës në Gaza. Faza e parë e marrëveshjes së paqes, e bazuar në propozimin e Presidentit të SHBA, shënon një zhvillim të rëndësishëm të rrallë dhe jetik. Përgëzojmë diplomacinë e palodhur të SHBA, Katarit, Egjiptit dhe Turqisë për drejtimin e këtij momenti drejt dritës. Një hap më pranë lirimit të të pafajshmëve, heshtjes së armëve dhe hedhjes së rrënjëve të paqes. Çdo armëpushim fillon si një thirrje e njerëzimit.” – ka deklaruar Ministrja Spiropali.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë me dije se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të një marrëveshjeje paqeje për armëpushimin në Gaza.
Nëse qeveria izraelite do ta miratojë këtë marrëveshje në mbledhjen e kësaj të enjte (9 tetor), vendimi do i hapte rrugën përfundimit të luftës, lirimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, si dhe tërheqjen e forcave izraelite dhe hyrjen e ndihmave në Gaza.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




