Begaj pret Gjeneralin amerikan Gryenkwich: Të angazhuar për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA

Presidenti Bajram Begaj, priti sot (18 shtator) në takim Komandantin e SHBA-ve për Evropën dhe Komandant Suprem i Komandës së Aleancës për Evropën, Gjeneral Alexus G. Gryenkwich.
Kreu i Shtetit, pasi e uroi për detyrën e rëndësishme, e vlerësoi vizitën e tij si një dëshmi e qartë e angazhimit të SHBA-ve dhe NATO-s ndaj Shqipërisë dhe rajonit.
“Shqiptarët kudo ku ata jetojnë në rajon i janë falënderues SHBA-ve për kontributin e tyre historik ndaj nesh”, theksoi Presidenti Begaj.
Presidenti vlerësoi iniciativën SHBA – Karta e Adriatikut A5 si një iniciativë që ka kontribuar në anëtarësimin e vendeve të rajonit në NATO, por edhe për rritjen e sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon.
Kreu i Shtetit theksoi se “Shqipëria i është mirënjohëse SHBA-ve për kontributin për modernizimin e forcave të armatosura, si edhe për çdo ndihmë që ata kanë dhënë për integrimin Euroatlantik të Shqipërisë”.
Biseda u fokusua, gjithashtu, në sfidat e sigurisë me të cilat po përballemi.
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria vlerëson KFOR-in si faktor të rëndësishëm stabiliteti dhe sigurie për të gjithë rajonin dhe se vijimi i pranisë së SHBA-ve në rajon është domosdoshmëri.
Po ashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi si shumë të rëndësishëm vijimin e stërvitjeve të përbashkëta si “Defender Europe”.
Kreu i Shtetit u shpreh se “Shqipëria do të vijojë të jetë kontribuuese aktive në mbrojtjen kolektive nëpërmjet pjesëmarrjes në misione dhe operacione të NATO-s, me investime në infrastrukturën ajrore, tokësore dhe detare, ku rëndësi strategjike i është dhënë Portit në Porto Romano dhe Korridorit 8”.
Presidenti Begaj rikonfirmoi në takim se Shqipëria është thellësisht e angazhuar për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe anëtare e përkushtuar e NATO-s.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




