Begaj takon presidentin Shtajnmajer: E ardhmja evropiane, udhërrëfyes për begatinë e rajonit

Politikë | 2 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj, i cili ndodhet në një vizitë dyditore në Gjermani, ka zhvilluar sot (19 qershor) një takim kokë më kokë me homologun, Frank-Valter Shtajnmajer (o. Frank-Walter Steinmeier). Bëhet me dije se Begaj dhe Shtajnmajer kanë diskutuar lidhur me forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe po ashtu për integrimin e Shqipërisë në BE.

Sipas Presidentit Begaj, ky takim është tregues i bashkëpunimit politik mes dy vendeve dhe i vëmendjes “së vazhdueshme” të Gjermanisë ndaj Shqipërisë.

“Ky takim është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer politik dhe i vëmendjes së vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Shqipërisë, është garanci për mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE. Gjermani ka dhënë mbështetje për avancimin e reformave në Shqipëri dhe zhvillimin e vendit. Roli i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor është i pazëvendësueshëm përballë sfidave që komprometojnë të ardhmen euroatlantike. Duhet bashkëpunim i ngushtë rajonal. E ardhmja evropiane është udhërrëfyes për begatinë e rajonit”, deklaroi Begaj.

Kreu i shtetit nisi dje vizitën zyrtare në Gjermani me ftesë të presidentit gjerman Shtajnmajer.

Në Berlin, presidenti Begaj do të takohet edhe me drejtuesit e shoqatave të diasporës, me të cilët do të bisedojë mbi integrimin ekonomik, social dhe politik të shqiptarëve në Gjermani.

Pas Berlinit, kreu i shtetit do të zhvillojnë një vizitë në Hamburg, ku do t’i bashkohet tifozëve kuqezi në “Volksparkstadion“ për të mbështetur Kombëtaren në përballjen me Kroacinë për Euro 2024.

Gjithashtu, në agjendën e presidentit Begaj është parashikuar edhe një takim me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, si dhe me ish-raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nut Flekenshtajn (o. Knut Fleckenstein).

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme