Berisha akuzon Ramën për fshehjen e raportit të PE: Propaganda mbuloi kritikat e rënda të Bashkimit Evropian

Politikë | 6 muaj më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përmes një videomesazhi ka lëshuar akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për manipulim të qëllimshëm të opinionit publik. Sipas liderit demokrat, kreu i qeverisë ka përdorur “monologun e së dielës” për të anashkaluar gjetjet kritike të raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian për Shqipërinë.

Në reagimin e tij, Berisha theksoi se raporti i fundit i Parlamentit Evropian është një “shuplakë” për qeverisjen aktuale, veçanërisht sa i përket standardeve zgjedhore. Ai u shpreh se dokumenti nxjerr në dritë shkrirjen e kufijve mes shtetit dhe partisë në pushtet, si dhe fenomenin e blerjes së votës.

“Në këtë raport damkosen zgjedhjet si një proces në të cilin linja midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake u shua, vota u ble dhe pati financime të paligjshme,” deklaroi Berisha.

Lideri i opozitës u ndal edhe te çështja e korrupsionit, duke përmendur rënien e Shqipërisë në indekset ndërkombëtare dhe mbrojtjen politike që, sipas tij, po u bëhet zyrtarëve të përfshirë në afera, përfshirë ato në AKSHI.

Kritikat për “Ballkanin e Hapur” dhe lirinë e medias

Një tjetër pikë e denoncimit të Berishës ishte trajtimi që raporti i bën nismave rajonale dhe situatës sociale në vend. Ai nënvizoi se dokumenti dënon me forcë projektin “Ballkani i Hapur”, duke e cilësuar atë si një mjet që minon integrimin evropian.

Gjithashtu, Kryetari i PD-së renditi një sërë problematikash të tjera që Rama i ka kaluar në heshtje si trajtimi i fëmijëve, ku gjysma e tyre rrezikojnë varfërinë; kontrolli mbi hapësirën televizive dhe përdorimi i tyre për propagandë; mungesa e rolit qendror të legjislativit në procesin e integrimit.

Berisha akuzoi kryeministrin edhe për heshtje lidhur me raportin IBAR dhe diskutimet brenda vendeve anëtare të BE-së. Sipas tij, Shqipërisë po i shtohen vazhdimisht kushte të reja prej pesë muajsh, fakte të cilat qeveria përpiqet t’i mbulojë me deklarata për startup-et dhe progresin imagjinar.

“Edi Rama fshehu një dokument themelor të Bashkimit Evropian për Shqipërinë duke shtuar gjithnjë e më shumë kushte dhe kërkesa nga vendet anëtare,” përfundoi videomesazhin e tij lideri demokrat.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme