Berisha: Dënoj me forcën më të madhe ekzekutimin e gjykatësit Astrit Kalaja
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi një ditën më parë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit.
Me tone të ashpra, Sali Berisha dënoi me forcë ekzekutimin e gjyqtarit, duke theksuar se nuk pajtohet kurrë me marrjen e jetës së zyrtarëve dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjen Kalaja.
“Dua të përsëris qëndrimin tim të prerë se nuk pajtohem kurrë me marrjen e jetës dhe aq më tepër ekzekutimin në detyrë të zyrtarëve për asnjë lloj arsye, ndaj dhe kam dënuar dhe dënoj me forcën më të madhe ekzekutimin e gjykatësit Kalaja në sallën e gjyqit dhe përsëri shpreh ngushëllimet e mia familjes Kalaja,” tha Berisha.
Ai e përshkroi vrasjen si një dëshmi të pasigurisë ekstreme në Shqipëri, duke e quajtur vendin “narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë”.
“Vrasja në sallën e gjyqit e gjykatësit Kalaja ngjitet në nivelin e krimit shtetëror dhe kjo jo se plumbat u shkrehën nga shteti, por se vrasja ndodhi në mungesë të plotë të të gjitha përgjegjësive dhe detyrimeve shtetërore, qoftë edhe atyre më minimale për mbrojtjen e jetës dhe veprimtarisë së zyrtarëve të shtetit brenda institucioneve të tyre.”
Sipas Berishës, fakti që vrasja ndodhi brenda një institucioni shtetëror, në mungesë të plotë të masave të sigurisë, tregon se shteti ka dështuar në detyrimet më minimale për mbrojtjen e jetës dhe veprimtarisë së zyrtarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




