Berisha: Do ulim çmimet e energjisë dhe të karburanteve, do ta lehtësojmë barrën mbi qytetarët

Politikë | 2 vite më parë

Kreu i PD-së, Sali Berisha zhvilloi një takim me banorët e degës 9, ku prezantoi programin e Partisë Demokratike, që sikurse u shpreh ai, ka në fokus të lehtësojë barrën për qytetarët.

Berisha premtoi ulje të çmimit të energjisë elektrike në 7 lekë, ndërsa tha se kush do të vendosë panele voltaike pas tre vitesh nuk do të kenë nevojë të paguajnë energjinë elektrike.

Duke u ndalur në pika të programit, Berisha deklaroi se taksat dhe djersën e shqiptarëve do i shpërndajmë më mirë, do i kthejmë në pensione dhe rroga të larta.

“Këto të ardhura që mbledhim, ne do t’i shpërndajmë me drejtësi, do t’i shpërndajmë krejt ndryshe. Me këto të ardhura që mbledhim, që janë të gjitha të qytetarëve. Se një gjë ta dini, qeveria nuk prodhon një qindarkë. Jo! Të gjitha vijnë nga taksat dhe djersa. Ne këto, do i shpërndajmë duke ua kthyer një pjesë të mirë juve. Duke i kthyer në pensione, duke i kthyer në rroga, duke i kthyer në kartën e Konsumatorit. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se çdo pensionist, përveç pensionit që do rritet, nuk do ketë pension nën 200 euro dhe pensioni do rritet me 20% tek të tjerat, do kenë edhe kartën e Konsumatorit”

Duke shpjeguar kartën e konsumatorit, Berisha nënvizoi se, “është një dokument, i cili ju, të merrni duke dorëzuar faturat e blerjeve të ushqimeve, të merrni 20% mbrapsht të atyre që keni paguar, të merrni tvsh-në. Pra, ta merrni më lirë se të tjerët ushqimin, dhe e meritoni plotësisht.”

Në përfundim kreu i demokratëve, Berisha shtoi se duhet të bëjmë gjithçka që vëllezërit, motrat, fëmijët tanë, të cilët në të shumtën e rasteve punojnë në bujqësi, punojnë në ndërtim, të kthehen në vendin e tyre, t’i i investojnë ato kursime duke i lënë 5 vite pa taksa, pa asnjë taksë.

“A funksionon? Po, funksionon. Nga viti 2009 deri në vitin 2012 u kthyen 180 mijë familje shqiptare nga jashtë. Do funksionojë përsëri. Përveç kësaj do nxisim lindjen. Tani, ju keni ndërtuar këtu shtëpitë tuaja, keni ndërtuar jetën tuaj dhe përsëri ka pasiguri të madhe.”

“Shqipëria energjinë pa asnjë lloj humbjeje mund t’ja shesë qytetarëve me 7 lekë. Ne do e ulim në 7 lekë kilovatin. Ne do ta ulim për biznesin në 6 lekë energjinë.Nafta. Shumë mund të thonë, po ç’na duhet ne nafta. Ata që kanë vetura, por edhe ata nuk kanë vetura paguajnë. Sepse ata paguajnë biletat e udhëtimit kudo që shkojnë me çmimin e naftës. Sepse ata paguajnë çmimin e të gjitha mallrave që blejnë, transportin, me çmim të lartë nafte. Nafta në Shqipëri shitet 40-50% më shtrenjtë se në Kosovë. Ndërkohë, nafta në Kosovë vjen nga Durrësi. Shkon nga Durrësi në Kosovë, atje shitet 40% më lirë. Pse? Ua them unë pse. Sepse taksa që merr qeveria në 1 litër naftë është absurde, merr 1.1 euro. Ndërsa, çdo njeri që blen 1 litër naftë, qeveria i ka grabitur 1.1 euro taksë. Jo, ne do t’i përgjysmojnë këto.” u shpreh ndër të tjera Berisha duke shpalosur programin e tij elektoral.“

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme