Berisha konfirmon paraqitjen në SPAK: Ky është një hetim politik!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp, konfirmoi se të mërkurën do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të dëshmuar lidhur me ngjarjet e 21 janarit.
Berisha e cilësoi thirrjen si pjesë e një “hetimi politik”, duke argumentuar se ngjarja e 21 janarit është hetuar më parë nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë.
Ai akuzoi drejtuesit e SPAK për keqpërdorim të procedurave dhe për përdorimin e dokumenteve ligjore në funksion të propagandës politike.
Por pavarësisht polemikave, do të respektojë ligjin duke u paraqitur në zyrat e institucionit, tha Berisha.
“Unë çdo njoftim që thirrem nga gjykata dhe prokuroria e vendit, kam shkuar dhe do të shkoj. Nesër do jem aty. Por e deklaroj që ky është një hetim politik,” tha Berisha, duke shtuar se thirrja e tij synon të mbulojë skandalet e qeverisë.”-tha Berisha.
Në fjalën e tij, kreu i opozitës rikujtoi se protesta e 21 janarit ishte një nga më të dhunshmet në historinë e vendit, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama si organizator kryesor të asaj ngjarjeje.
Ai paralajmëroi se do ta përdorë paraqitjen në SPAK edhe si një “gjyq publik” ndaj Ramës.
“Ky është një hetim politik, sepse ajo çështje është hetuar me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Do të shkoj nesër dhe do t’i bëj gjyqin publik Edi Ramës”
Berisha theksoi se deputetë të PD-së do të ndjekin nga afër zhvillimet, ndërsa ai vetë do të paraqitet në SPAK duke e konsideruar këtë si një detyrim ligjor, por edhe si një moment për të denoncuar atë që e cilëson si “hetim të motivuar politikisht”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




