Berisha në Kongresin e PPE në Valencia flet për kartelet shqiptare, mungesën e debatit politik

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Europiane (PPE) në Valencia, Spanjë. Në fjalimin e tij, Berisha ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për “përdorim të pushtetit në shërbim të interesave të tij personalë dhe të krimit të organizuar”.
“Shqipëria sot është shteti i parë dhe i vetëm narkoshtet në Europë, ku gjithë pushtetet janë në dorën e një njeriu të vetëm. Siç kanë vërejtur edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, përmes një industrie mafioze të blerjes së votës dhe një makinerie masive intimidimi, ai ka vënë nën kontroll të plotë vullnetin e qytetarëve dhe ka kthyer zgjedhjet në një fasadë. Kryeministri, i cili shfaqet në samite ndërkombëtare me atlete të bardha dhe kryen plaçkitje, sillet në vend si një diktator i mirëfilltë. Ai kontrollon të gjithë ekonominë. Kontrollon të gjithë median. Në fund, ai bllokoi TikTok-un, duke e bërë vendin të duket njësoj me Kabulin dhe Teheranin”, tha Berisha.
Kreu i PD-së shkoi edhe më tej me akuzat, teksa pretendoi se Rama urdhëroi arrestimin e drejtuesve të opozitës, sikundër të ish-kryebashkiakut të votuar të Himarës. Sipas Berishës, për të goditur opozitën dhe për të mbajtur pushtetin në mënyrë të pamerituar, kryeministri korruptoi edhe zyrtarin e lartë amerikan.
“Diktatori tiranik, narkodiktatori, ka korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, që të punonte kundër opozitës shqiptare. I dha atij 225 mijë dollarë, por ju siguroj që nuk ishte i vetmi që u ble kundër opozitës. Dokumente, mijëra dokumente nga vende partnere, provojnë sot se shteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët në vendin tim”, tha Berisha.
Si në fjalën e mbajtur, edhe në takimet e zhvilluara, si me zëvendëspresidentin e PPE-së, kryedemokrati kërkoi mbështetje që zgjedhjet e 11 majit të plotësojnë standardet ndërkombëtare për të qenë të lira dhe të ndershme.
Berisha u takua edhe me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, takim që konfirmoi marrëdhëniet e qëndrueshme mes PD-së dhe të djathtës europiane. Sipas kësaj force politike, pjesëmarrja e Berishës në këtë kongres shihet si një hap drejt forcimit të lidhjeve ndërkombëtare të Partisë Demokratike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




