Berisha: Opozitës i mbyllin gojën në Kuvend, do hapim “platformën parlamentare” para Kryeministrisë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sugjeruar se opozita do të ngrejë një “platformë parlamentare” para ndërtesës së Kryeministrisë, ku deputetët dhe qytetarët do të kenë mundësinë të flasin publikisht.
Në një deklaratë për media, Berisha u shpreh se opozitës nuk i është mundësuar fjala në parlament duke e cilësuar këtë si një “asgjësim de facto të parlamentarizmit”.
Për këtë, kryedemokrati ka propozuar që opozita të kalojë debatet jashtë parlamentit, duke u drejtuar te qytetarët përmes fjalimeve dhe propozimeve direkte përpara ndërtesës së Kryeministrisë.
“Në parlament nga 9 seanca të zhvilluara, me gjithë angazhimin më serioz të opozitës në çdo komision, në çdo seancë, ju jeni dëshmitarë se opozita është lejuar të diskutojë vetëm në një seancë, çka do të thotë de facto asgjësim i parlamentit dhe parlamentarizmit.
Çka do të thotë shkelmim i Kushtetutës, rregullores së parlamentit, rendit kushtetues të vendit.
Çka do të thotë mohim i të drejtave të opozitës. Plas çdo skandal, jo tanimë kryeministri, por as ministrat nuk paraqiten në interpelancë.
Në këto kushte do i sugjeroj grupit parlamentar dhe partisë që opozita të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe aty deputetët e opozitës, qytetarët, të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet, denoncimet.
Pas 9 seancash, opozita është lejuar të debatojë vetëm një ditë në parlament. Atëherë ne kalojmë në debat me qytetarët. Kjo përbën një hap të domosdoshëm për t’iu përgjigjur represionit në parlament të opozitës, të pluralizmit, shkelmimit të ligjeve, të Kushtetutës, në funksionimin e këtij institucioni”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




