Berisha pas paraqitjes në SPAK: Në dhjetor, Dumani do të largohet si puçist. E garantoj se do të përballet me ligjin
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se ai do të vazhdojë t’i bindet këshillave të avokatëve në lidhje me çështjen gjyqësore që SPAK ka ngritur ndaj tij.
Të hënën, kryedemokrati u paraqit sërish para oficerit të Policisë Gjyqësore duke qenë me masën e detyrimit për paraqitje si i pandehur në dosjen “Partizani”.
“Unë do të veproj në përputhje me këshillat e avokatëve. Kur avokatët më këshillojnë që unë të jem i pranishëm në sallën e gjyqit, do të shkoj pa asnjë hezitim. Por edhe atje ka një radhë. Kur ata e gjykojnë të arsyeshme do të shkoj,” u shpreh z. Berisha.
Në një deklaratë për mediet jashtë ambienteve të SPAK-ut, z. Berisha nuk u kursye sërish me akuzat ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani. Ai e akuzoi se është një vegël në duart e kryeministrit Edi Rama, dhe “autor i krimeve të rënda kushtetuese”.
Kreu i trupës së posaçme hetuese synon një mandat të dytë në SPAK, por z. Berisha tha se ai nuk ka më as mbështetjen e një partneri si Amerika. Sipas tij, në procesin për zgjedhjen e kreut të ri, që do të hapet më 17 shtator nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kryeministri Rama patjetër që do të provojë “të ndërhyjë”.
“Mandati i tij skadon në dhjetor dhe ky largohet si kryetar i këtij institucioni si një puçist që e zhyti në krim, që fjeti mbi dosjet e krimit dhe që unë e garantoj se për secilën prej tyre do përballet me ligjin. Kjo prokurori është prokurori e shtetit dhe nuk është e asnjë individi. Dhe ai do përballet me ligjin. E vlerësoj dhe e çmoj shumë qëndrimin e ri të Departamentit të Shtetit në SHBA, i shprehur nga përfaqësuesja e këtij vendi në Tiranë se mandati i tij mbaron dhe kjo nuk ka komente,” deklaroi kryedemokrati.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




