Berisha për “foltoren” paralele të Salianjit në Durrës: Shqetësimet t’i ngrejë në Kryesi. Aty ishin një grup të pakënaqurish, jo demokratët
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për takimin e ish-deputetit të PD, Ervin Salianji, në Durrës, të cilin e konsideroi si një “foltore” paralele me aktivitetet e nisura nga vetë lideri i partisë.
Berisha u shpreh se Salianji është anëtar kryesie dhe se ai nuk i ka ngritur këto shqetësime në mbledhjet e Kryesisë. Ai shtoi se ish-deputeti nëse do të ndjekë një axhendë personale, kjo është zgjedhja e tij.
“Është anëtar kryesie i cili në asnjë mbledhje kryesie nuk ka shtruar asnjë nga këto probleme. Ai është i ngarkuar të bëjë analizën e një zone në kombinat dhe nëse do të ketë axhendë personale le të vazhdojë deri në fund. I përgëzoj strukturat e Durrësit që nuk u mashtruan nga një takim me axhendë strik private. Të deklarosh se demokratët nuk dëgjohen, nuk ka mashtrim më të madh. Të ndjekësh një axhendë personale është një zgjedhje që unë nuk kam asnjë kundërshtim dhe le të vazhdojë”, tha Berisha.
Ai tha se pjesëmarrësit e takimit si një grup të pakënaqurish, disa prej të cilëve nuk ishin futur në listat për deputet dhe disa të tjerë që kishin punuar për PS. Berisha theksoi se analiza në parti është e nevojshme për të identifikuar ata që sipas tij kanë tradhtuar demokratët.
“I përgëzoj demokratët e Durrësit, të cilët i braktisën. Ata që ishin në takim ishin një grup të pakënaqurish që nuk u futën në listat për deputet dhe kishte nga ata që kishin punuar për PS dhe kanë frikë për analizën që do bëhet. Prandaj duhet analiza në parti, pasi ata që kanë tradhtuar demokratët do japin llogari. Ata që morën udhëtime turistike gjatë fushatës natyrisht ata bashkohen me atë takim se kanë qëllimet e tyre. I përgëzoj edhe një herë demokratë e Durrësit dhe do këtë një llogaridhënie të plotë nga të gjitha strukturat. Zoti Salianji të vazhdojë axhendën e tij personale dhe ai është i ngarkuar në një zonë në Kombinat ku po bën analizën, është anëtar kryesie. Ai të shtrojë çdo gjë në kryesi dhe zonën që mbulon”, tha ai.
Një ditë më parë, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka lëshuar mesazhe të forta kritike ndaj drejtimit aktual të Partisë Demokratike gjatë një takimi me strukturat dhe simpatizantët në Durrës. Në një analizë pa doreza të situatës opozitare, Salianji pranoi se PD ndodhet në një ngërç të thellë, e paaftë për të frymëzuar qytetarët dhe për të reaguar ndaj skandaleve qeveritare.
Sipas tij, 7 muaj pas zgjedhjeve, në parti nuk është bërë asnjë analizë, nuk është mbajtur asnjë përgjegjësi dhe strukturat janë lënë në harresë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



