Berisha: Priten kushte të reja për integrimin në BE
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot në Durrës një tryezë diskutimi mbi zhvillimet në Portin e Durrësit, ku u ndal edhe tek procesi i integrimit evropian të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se praktikat e brendshme po dëmtojnë rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe se pritet që BE të vendosë kushte të reja për integrimin.
“Ka mbi një muaj, përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare kanë bërë pesë takime dhe prapë Shqipëria mbetet në klasë,” tha ai.
Duke iu referuar raportit IBAR, Berisha theksoi se “ai është një raport i ndërmjetëm, nuk është një raport përfundimtar. Dhe as të ndërmjetëm nuk e kanë pranuar, duke sjellë një breshëri të re kushtesh dhe kërkesash që do t’i vendosen Shqipërisë në rrugën e integrimit.”
Sipas tij, vendi rrezikon të mbetet pas në procesin e integrimit, ndërsa shtoi se “një breshëri kushtesh të reja vendosen dhe de facto pas proceseve të mundshme të anëtarësimit të vendeve të tjera, Shqipëria largohet me shpejtësi mbrapa nga horizonti.”
Në vijim, Berisha komentoi edhe mbi takimet e kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar si të shkëputura nga qytetarët.
“Nuk takohet me qytetarët, por me grupe të caktuara. Drejtësia për ta nuk vonon dhe do të ndëshkohen si kriminelë elektoralë në këtë vend,” tha ai.
Berisha e përmbylli fjalën e tij duke theksuar se Shqipëria po ndëshkohet pavarësisht nga deklaratat optimiste, ndërsa paralajmëroi se kushtet e reja të vendosura nga BE do ta bëjnë më të vështirë rrugën e integrimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




