“BESA” për qytetarët, Rama mbledh drejtuesit e PS-së: Prania besnike në funksion të kthesës së mandatit të katërt

Politikë | 3 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot drejtuesit e Partisë Socialiste, duke u fokusuar te forcimi i strukturave të partisë.

Në deklaratën e tij, Rama theksoi rëndësinë e një “pranie besnike” që i shërben vetëm partisë dhe synimit për të siguruar vazhdimësinë.

“Prania besnike adreson vetëm partinë me synimin që ta vendosë atë në funksion të kthesës së mandatit të katërt. Nëse herën e shkuar fola për qeverisjen e kësaj faze të re, sot dua të flas për makinerinë tonë të partisë”, u shpreh Rama.

Kryeministri u ndal gjatë në rrezikun e humbjes së lidhjes me bazën pas marrjes së pushtetit. Ai tha se ka kaluar kohë duke reflektuar jo vetëm “para pasqyrës së bulevardit të flamingove”, por edhe në varrezat e historisë së partive e lëvizjeve politike:

“Kam kaluar disa kohë edhe në varrezat ku prehen historitë e partive dhe lëvizjeve që fituan gjithçka por që më herët apo më vonë humbën sfidën e vazhdimësisë së qëndrueshme të fitoreve të tyre. Të gjithë gurët në ato varreza, kanë të njëjtin mbishkrim; asnjë nuk e humbi pushtetin nga dëgjimi, të gjithë e humbën dëgjimin nga pushteti”, shpjegoi kryeministri.

Rama solli si shembull edhe ish-presidentin amerikan Barack Obamën, duke theksuar se edhe lëvizja më e fuqishme vullnetare mund të shpërbëhet nëse nuk mirëmbahet:

“Barack Obama fitoi në vitin 2008 me lëvizjen vullnetare që kishte parë demokracia amerikane. Por më pas ajo lëvizje u tret në lumenjtë e turmave të jetës së përditshme”, nënvizoi ai.

Rama u bëri thirrje drejtuesve që “prania besnike” të përkthehet në angazhim konkret në terren, larg rrezikut të izolimit nga pushteti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme