Bessent: Kina të ushtrojë presion ndaj Iranit që të hapë Ngushticën e Hormuzit

Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Scott Bessent ka deklaruar se SHBA po presin të shohin nëse Kina do të angazhohet në përpjekje diplomatike për të ushtruar presion mbi Iranin që të hapë Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më strategjike për transportin global të naftës.
Duke folur në një intervistë për Fox News, Bessent theksoi rëndësinë që Pekini të mbështesë hapjen e ngushticës, statusi i së cilës është kthyer në një nga pengesat në bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit.
Sipas tij, angazhimi diplomatik i Kinës mund të luajë një rol kyç në uljen e tensioneve dhe stabilizimin e tregjeve globale të energjisë.
Ngushtica e Hormuzit, e vendosur midis Gjirit Persik dhe Detit të Omanit, është një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë.
Përmes saj kalon rreth 20% e naftës së transportuar me anije në nivel global. Mbyllja ose kufizimi i trafikut në këtë zonë ka ndikuar ndjeshëm në çmimet e naftës ndërkombëtare, duke shkaktuar shqetësime ekonomike globale, veçanërisht pas tensioneve të fundit midis SHBA-së, aleatëve të saj dhe Iranit.
Deklarata e Bessent vjen në një moment delikat për marrëdhëniet ndërkombëtare. SHBA kanë shtuar presionin ekonomik dhe ushtarak ndaj Iranit, duke përfshirë bllokada detare dhe sanksione të reja. Ndërkohë, Kina mbetet një nga blerësit kryesorë të naftës iraniane, pavarësisht tensioneve.
Bessent ka paralajmëruar më herët se SHBA nuk do të lejojnë që Kina të vazhdojë të importojë naftë iraniane nëpërmjet ngushticës nëse situata nuk zgjidhet.
Megjithatë, ai ka pranuar se disa anije iraniane, indiane dhe kineze kanë mundur të kalojnë në periudhën e fundit, si një masë e përkohshme për të lehtësuar furnizimin global.
Thirrja ndaj Kinës reflekton strategjinë e administratës Trump për të përfshirë aktorët e mëdhenj globalë në zgjidhjen e krizës iraniane. Kina, si partner ekonomik i rëndësishëm i Iranit, ka ndikim diplomatik që mund të ndihmojë në uljen e bllokadës ose në arritjen e një marrëveshjeje.
Sekretari Bessent është shprehur optimist se trafiku në ngushticë po rritet gradualisht dhe se mund të ketë një “hapje natyrale” nga ana iraniane.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se nëse situata zgjat, SHBA janë të gatshme të marrin masa më të forta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




