Betohen ligjvënësit e rinj të Legjislaturës XI. Lënë mandatet dy deputetët e PSD-së, Tom Doshi dhe Sabina Jorgo

Deputete e deputetë u zotuan të martën se do të kryejnë me ndërgjegje detyrën, do të përfaqësojnë denjësisht popullin dhe do t’i binden Kushtetutës, duke dhënë fjalën e tyre para Kuvendit të Shqipërisë.
Ceremonia e betimit erdhi pasi komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, i ngritur vetëm me gjashtë anëtarët e mazhorancës, konstatoi se ditën e sotme (12 shtator) dy deputetë të Partisë Socialdemokrate kanë hequr dorë nga mandatet: Tom Doshi dhe Sabina Jorgo.
“Pranë Komisionit janë depozituar edhe dy shkresa me nr. 2408, dt. 12.09.2025 dhe nr. 2409, dt. 12.09.2025 për heqjen dorë nga mandati i deputetit nga z. Tom Doshi dhe znj. Sabina Jorgo. Mbështetur në nenin 164, pika 1 të ligjit nr. 10019, dt. 29.12.2008, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, Kuvendi në këtë rast jo më vonë se 30 ditë njofton KQZ-në për krijimin e vakancës,” tha anëtarja e Komisionit, deputetja Milva Ekonomi.
Seanca e orës 17:00 u kryesua sërish nga më i vjetri i Parlamentit, deputeti socialist Vasil Llajo, pasi dy demokratët Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan të drejtojnë mbledhjen solemne.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare morën pjesë 11 subjekte zgjedhore. Partia Socialiste do të përfaqësohet me 83 mandate deputetësh, të cilët për shkak të numrit të lartë janë ulur edhe në anën e “djathtë” të Kuvendit për herë të parë. Partia Demokratike dhe aleatët kanë 50 mandate, 3 mandate ka Partia Socialdemokrate, 2 mandate Partia Mundësia dhe nga 1 mandat secila, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.
Nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, më shumë se gjysma do të ulen aty për herë të parë.
Të zgjedhurit vijnë nga profesione të ndryshme, nga drejtësia, ekonomia e mjekësia te inxhinieria, arti e sipërmarrja, veç shkencave politike. 25 deputetë mbajnë gradën “Doktor i Shkencave” dhe 5 deputetë mbajnë titullin “Profesor”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




