Biden: Netanyahu mund të jetë duke e zgjatur luftën në Gaza për qëllime politike

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se udhëheqësi izraelit, Benjamin Netanyahu mund të jetë duke ngurruar në përfundimin e luftës në Gaza për arsye politike, sipas një interviste me revistën ‘Time’ të publikuar të martën.
Komentet në intervistën e 28 majit u bënë disa ditë përpara se Biden të detajonte një propozim për një armëpushim në Gaza, ndërsa kryeministri izraelit përballet me ndarje të thella politike në vend.
I pyetur nëse mendonte se Netanyahu po e zgjaste luftën për arsyet e tij politike, Biden tha: “Ka çdo arsye që njerëzit të dalin në atë përfundim”.
Biden, i cili ka bërë presion për t’i dhënë fund luftës gati tetë-mujore, tha gjithashtu se ishte “i pasigurt” nëse forcat izraelite kanë kryer krime lufte në Gaza.
Ai hodhi poshtë akuzat se Izraeli po përdor urinë e civilëve si një metodë lufte, por tha: “Unë mendoj se ata janë përfshirë në aktivitete që janë të papërshtatshme”.
Biden tha se e paralajmëroi Izraelin të mos bënte të njëjtin gabim që bëri SHBA pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 që çuan në “luftëra të pafundme”.
“Dhe ata po e bëjnë atë gabim,” tha ai.
Zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Mencer, i pyetur për intervistën, tha se ishte “jashtë normave diplomatike të çdo vendi që mendon drejt” që Biden të bënte komente të tilla për Netanyahun.
Muajin e kaluar, prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë kërkoi urdhra arresti për Netanyahun dhe shefin e tij të mbrojtjes, si dhe tre udhëheqës të Hamasit, për krime të dyshuara lufte. Reuters
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



