Birol: Më shumë se 40 vende energjetike në Lindjen e Mesme janë dëmtuar që nga fillimi i luftës

kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol ka deklaruar se më shumë se 40 vende energjetike në Lindjen e Mesme janë dëmtuar që nga fillimi i luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Duke folur për mediat në Canberra të Australisë, Birol deklaroi se asete energjetike në nëntë vende të rajonit janë dëmtuar rëndë.
Dëmtimet së bashku me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, kanë krijuar një krizë historike globale të energjisë.
“Jo vetëm nafta dhe gazi. Disa nga arteriet vitale të ekonomisë globale, si petrokimikatet, plehrat kimike, squfuri dhe heliumi. Tregtia e tyre është ndërprerë plotësisht, çka do të ketë pasoja serioze për ekonominë botërore”, theksoi ai.
Ai e krahasoi ndikimin e kësaj krize me atë të naftës të viteve 1973 (embargoja e OPEC-it) dhe 1979 (Revolucioni Iranian), së bashku me pushtimin rus të Ukrainës.
Asnjë vend nuk do të jetë imun ndaj efekteve të kësaj krize, paralajmëroi Birol, ndërsa theksoi se “zgjidhja më e rëndësishme e vetme për këtë problem është hapja e Ngushticës së Hormuzit”.
Më herët këtë muaj, 32 vendet anëtare të IEA-së ranë dakord për lirimin e 400 milionë fuçi nafte nga rezervat emergjente për të lehtësuar stresin në tregje – lëvizja më e madhe e këtij lloji në histori.
Sipas Birol, IEA po diskuton një lëshim tjetër të rezervave emergjente të naftës, duke konsultuar liderët në Amerikën e Veriut, Azinë dhe Evropën.
Lëshimi i mëparshëm përbënte rreth 20% të rezervave emergjente të agjencisë.
“Nëse nevojitet, mund të fusim më shumë naftë në tregje, si naftë të papërpunuar ashtu edhe produkte të tjera. Lëshimi i rezervave do të ndihmojë për të qetësuar tregjet, por kjo nuk është zgjidhja përfundimtare. Do të shërbejë vetëm për të ulur dhimbjen në ekonomi”, u shpreh ai.
Kriza vjen ndërsa lufta hyn në javën e katërt, me çmime të larta të naftës dhe ndërprerje të furnizimeve globale, duke rritur frikën për pasoja të gjata ekonomike nëse Ngushtica e Hormuzit – përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës dhe gazit botëror – mbetet e mbyllur.
Birol shtoi se riparimi i dëmeve në fusha nafte, rafineri dhe tubacione do të marrë kohë të gjatë edhe pas përfundimit të konfliktit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




