Bletaria në Librazhd, sektori që njeh zhvillim të vazhdueshëm, rreth 650 bletërritës të mëdhenj e të vegjël
Bletaria është i vetmi sektor që ka qëndrueshmëri dhe zhvillim në bashkinë e Librazhdit.
Të dhënat nga Drejtoria e Bujqësisë në këtë bashki flasin për dhjetëra bletërritës që administrojnë parqe të mëdha e qindra të tjerë më të vegjël.
“Aktualisht fermerët aktivë që konkurrojnë në skemat përfituese janë me 30–40 koshere, ndërsa fermerët që kanë 5–15 koshere janë më në shumicë, rreth 500–600,” tregon Hysni Hoxha nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Turizmit.
Ky vit ka qenë i mbarë për bletarinë dhe Hoxha shton se të gjithë fermerët raportojnë për më shumë mjaltë të prodhuar me cilësi shumë të mirë.
Mjalti i Librazhdit, qoftë ai i gështenjave, i luleve apo i pishës, tregun e ka të sigurt.
“Normalisht fermerët kanë klientelën e vet ku tregtojnë. Nuk është se u ngelet mjaltë. Sidomos mjalti i gështenjës në zonën e Gurakuqit, por edhe mjalti i luleve, si ai i Sopotit,” thotë z. Hoxha.
Bletaria në zonën e Librazhdit është një traditë e hershme, e cila po merr zhvillim jo vetëm për shkak të mjedisit të përshtatshëm me pyje, male e kullota për t’u zhvilluar, por edhe për shkak të politikave mbështetëse zhvilluese ndaj këtij sektori.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




