Bordi i Paqes kërkon dorëzimin e Hamasit, OKB paralajmëron arrestime e tortura

Botë | 8 muaj më parë

Bordi i Paqes i presidentit amerikan, Donald Trump, i ka dorëzuar Hamasit një propozim zyrtar që kërkon çarmatimin e plotë të grupit militant. Ky plan, i paraqitur gjatë bisedimeve sekrete në Kajro, parashikon tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza në këmbim të dorëzimit të armëve.

I dërguari special, Nickolay Mladenov, ishte i prerë duke thënë se tani është koha që përgjegjësit të bëjnë zgjedhjen e duhur për popullin palestinez.

 “Ky propozim kërkon çarmatim të plotë nga Hamasi dhe çdo grup tjetër i armatosur, pa asnjë përjashtim”, deklaroi Mladenov pas takimit. Ndërkohë që diskutohet paqja, një raport tronditës i OKB-së akuzon Izraelin për tortura sistematike ndaj të burgosurve palestinezë.

Raportuesja Francesca Albanese thotë se dhuna fizike dhe psikologjike ka arritur përmasa të paprecedenta që nga tetori i vitit të kaluar. Sipas dokumentit, mbi 18 mijë persona janë arrestuar, mes të cilëve edhe fëmijë, duke u përballur me kushte çnjerëzore.

Ekspertja e Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar këtë situatë si një hakmarrje kolektive që po lë plagë të thella te mijëra familje. Ajo u bëri thirrje shteteve anëtare të ndërhyjnë urgjentisht për të ndaluar shkatërrimin e asaj që ka mbetur nga territori palestinez.

Izraeli, nga ana tjetër, mbetet pjesë e konventave kundër torturës, por raporti ngre pikëpyetje të mëdha mbi zbatimin e tyre në terren.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme