Bordi i Transparencës vendos tavanet e reja të çmimeve të naftës, benzinës dhe gazit: Hyjnë në fuqi sot në orën 16:00

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe të Gazit ka zhvilluar mbledhjen e tij ku ka përcaktuar tavanet zyrtare të çmimeve të karburanteve për tregun vendas.
Sipas Bordit të Transparencës, vendimi vjen në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave “për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të ligjit nr. 8450 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, si dhe Aktit Normativ të datës 3.4.2026.
Në përfundim të mbledhjes së datës 19 Shtator 2026, Bordi vendosi kufijtë maksimalë të shitjes si më poshtë: Gazoili (SSH EN 590): Çmimi tavan i shitjes me pakicë caktohet 219 lekë/litër, ndërsa për shitjen me shumicë jo më shumë se 207 lekë/litër.
Benzina (SSH EN): Çmimi tavan i shitjes me pakicë caktohet 195 lekë/litër, ndërsa për shitjen me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi ditën e sotme, në orën 16:00, dhe do të mbesin të vlefshme deri në mbledhjen e radhës të Bordit, ku do të pasqyrohen lëvizjet e ardhshme të tregut.
Paralajmërohen operatorët: Shkelësve u pezullohet aktiviteti
Bordi i Transparencës u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë që të zbatojnë me rigorozitet tavanet e caktuara, në të kundërt ndaj çdo subjekti që do të konstatohet në shkelje të këtij vendimi do të merret masa e menjëhershme e pezullimit të aktivitetit.
Ndërkaq, në një deklaratë të përbashkët, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmuan angazhimin e tyre të plotë për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e hidrokarbureve.
Njoftimi i plotë:
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e parë.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 19 Shtator 2026, vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 219 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 207 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 195 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër.
🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 19 ora 16.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




