Botërori i Notit, dominon Kanadaja

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Dita e pestë dhe e parafundit e Kampionatit Botëror të notit në pishina të mbyllura 25-metërshe, që po zhvillohet në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, duket se ka qenë për Kanadanë. Jo vetëm vende të para, por dhe rekord bote për të rritura në pishina të mbyllura. Serinë e medaljeve të arta e ka hapur Rusia në stafetën 4×50 metra stil i përzier, teksa ka fiksuar rekordin e ri të kampionatit me kohën 1’30”51.

Madje në këtë stafetë, teksa është me të njëjtin rezultat me vendin e parë, duke mbajtur dhe rekordin e kampionatit, e artë është skuadra amerikane, ndërsa në vendin e tretë ishte Italia. Pra dy rekorde kampionati në një stafetë. E arta e parë e ditës për Kanadanë ka ardhur në 200 metra stil i përzier, teksa Sidnei Pikrem zë vendin e parë me 2’04”29. Pas saj kinezja Uiting Xhu dhe amerikania Keit Dagllas. Braziliani Santos, me kohën 21”93, do të bënte të veten 50 metra flutur për meshkuj, ndërsa pas tij do të vinin Karter nga Trinidad Tabago dhe italiani Rivolta.

Dhe rekordi i ri i botës ka ardhur në 50 metra shpinë për femra, atje ku kanadezja Margaret Mekneil ka vendosur kohën e re 25”27. Pas saj bashkatdhetarja Mas dhe suedezja Luiz Hanson. Japonezi Daija Seto do të ishte fitues në 400 metra stil i përzier me kohën 3’56”29. Në vendin e dytë rusi Borodin dhe në të tretin amerikani Foster. Kinezja Tang do të ishte e artë në 100 metra bretkosë me 1’03“47 duke sfiduar suedezen Sofie Hanson dhe irlandezen Meksheri.

Dhe gara e fundit e ditës ishte stafeta 4×200 metra stil i lirë për femra nën dominimin e Kanadasë, që zuri vendin e parë me kohën 7’32”96. Në vendin e dytë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në të tretin Kina. Kështu Kampionati Botëror i notit në pishina të mbyllura po vjen drejt fundit, kurse emocionet nuk kanë të mbaruar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme