Bregu: Pas vetingut ka një arrogancë nga gjyqtarët. Avokatët nuk respektohen

Aktualitet | 1 vit më parë

Gazetari Zylyftar Bregu ka ngritur shqetësimin për trajtimin e avokatëve në sallat e gjyqit, duke deklaruar se pas kalimit të procesit të Vettingut, gjyqtarët dhe prokurorët kanë fituar një lloj arrogance në ushtrimin e detyrës. Deklaratën, Bregu e bëri gjatë emisionit “3D” në RTSH, ku po diskutohej rasti i ndalimit të avokatit Ulian Barjami në Elbasan.

Sipas Bregut, avokatët nuk gëzojnë trajtim të barabartë me prokurorët, ndonëse ligjërisht janë në pozita të njëjta brenda sistemit të drejtësisë.

“Avokatët ndihen në një farë inferioriteti në sallën e gjyqit dhe kanë ndryshuar rolet, ku duhej të ishte avokati mbi, ka kaluar prokurori mbi. Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar Vettingun, kanë marrë mbi vete një superioritet. E kanë marrë këtë arrogancë për shkak të Vettingut. Avokatët nuk respektohen, janë të barabartë me prokurorin,” u shpreh Bregu.

Barjami u lirua pasditen e kësaj të hëne, dy ditë pasi u ndalua pas përplasjes me prokurorin Gjergji Ceka në seancën për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor pranë ambienteve të një lokal në qytetin e Elbasanit. Ndër personat e ndaluar ishte edhe Maksim Suçi, i cili mbrohej nga avokati në fjalë.

Ndalimi i tij nxiti reagimin e menjëhershëm të avokatëve në mbarë vendin, të cilët kanë vendosur të bojkotojnë të gjitha seancat gjyqësore nga data 20 deri më 25 tetor, me përjashtim të atyre që lidhen me masat e sigurisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme