Britania dhe aleatët gati të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën

Botë | 1 vit më parë

Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj kanë deklaruar se janë të gatshëm të mbështesin Ukrainën përpara negociatave për t’i dhënë fund luftës dhe për të garantuar një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, në prag të një takimi të nivelit të lartë në Paris, theksoi se aleatët do të ndihmojnë Ukrainën të sigurojë “qiellin, detin dhe tokën”, sapo të arrihet një armëpushim.

Ai bëri të ditur gjithashtu se është miratuar përdorimi i 1 miliard paund nga asetet e sekuestruara ruse për të financuar ndihmën dhe pajisjet ushtarake për Ukrainën, duke e quajtur këtë “rikthim me interesa të parave të pista të Putinit”.

Takimi në Paris, i udhëhequr nga Presidenti francez Emmanuel Macron, pritet të mbledhë Koalicionin e të Vullnetshmëve, një grup vendesh që janë angazhuar të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën, duke pritur vetëm konfirmimin e SHBA-së si faktor vendimtar.

Marrëveshja e propozuar përfshin vazhdimin e trajnimit dhe furnizimit të ushtrisë ukrainase, si dhe mundësinë e vendosjes së trupave evropiane në territorin ukrainas për të penguar çdo agresion të ardhshëm rus. Megjithatë, Gjermania, Italia dhe disa anëtarë të tjerë të koalicionit kanë përjashtuar dërgimin e ushtarëve në terren.

Nga ana tjetër, Presidenti rus Vladimir Putin, tha se ekziston “një dritë në fund të tunelit” për një marrëveshje, por paralajmëroi se nëse nuk arrihet një zgjidhje e pranueshme, Rusia do të vijojë të ndjekë objektivat e saj “ushtarakisht”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme