Britania do të blejë 12 avionë F-35A me kapacitet bërthamor nga SHBA, do i bashkohet misionit bërthamor të NATO

Botë | 1 vit më parë

Mbretëria e Bashkuar do të blejë nga Shtetet e Bashkuara 12 avionë luftarakë F-35A, të aftë të mbajnë armë bërthamore.

Kryeministri britanik Keir Starmer do e japë njoftimin gjatë samitit të NATO-s këtë të mërkurë, ndërsa u bën thirrje anëtarëve të NATO-s të bëjnë më shumë për të mbështetur aleancën.

“Angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar ndaj NATO-s është i padiskutueshëm, ashtu si edhe kontributi i aleancës për ta mbajtur Mbretërinë e Bashkuar të sigurt. Por të gjithë duhet të bëjmë hapa për të mbrojtur zonën euroatlantike për brezat që do të vijnë”, do të thotë Starmer, sipas Downing Street.

Njoftimi vjen pas kritikave të përsëritura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, se vendet e NATO-s nuk po shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtje.

Avioni luftarak i gjeneratës së pestë, i ndërtuar kryesisht nga prodhuesi amerikan Lockheed Martin, është një nga avionët luftarakë më të përparuar në planet – por është gjithashtu një nga më të shtrenjtët.

Vendimi për të blerë avionë me kapacitet për të mbajtur armë bërthamore përfaqëson gjithashtu një forcim të madh të pozicionit bërthamor të Britanisë.

Kjo do të thotë që, përveç armës parandaluese bërthamore ekzistuese të Mbretërisë së Bashkuar me transport detar, vendi tani do t’i bashkohet edhe misionit bërthamor të NATO-s me avionë të aftë për dy qëllime.

«Në një epokë pasigurie radikale, ne nuk mund ta marrim më paqen si të mirëqenë», do të thotë Starmer.

Sipas qeverisë britanike, vendimi do të mbështesë 20,000 vende pune në programin F35 në Mbretërinë e Bashkuar, me 15% të zinxhirit global të furnizimit për avionët me bazë në Britani.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme