Britania e Madhe do ta njohë shtetin e Palestinës pas përfundimit të vizitës së Trump

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, planifikon të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të përfundojë vizitën e tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, raporton “The Times”.
Duke cituar burime, “The Times” shkruan se Starmer do ta ndërmarrë këtë veprim këtë javë, pasi Trump të përfundojë vizitën zyrtare në Britaninë e Madhe, në mënyrë që çështja të mos dominojë një konferencë të përbashkët për shtyp të planifikuar për të enjten.
Vende të tjera, përfshirë Francën, Kanadanë dhe Australinë, pritet gjithashtu ta njohin Palestinën në samitin e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork javën e ardhshme, për shkak të shqetësimeve për luftën e vazhdueshme në Gaza.
Nga ana tjetër, SHBA e kundërshton fuqimisht këtë veprim dhe ka paralajmëruar se kjo do të shërbente për të shpërblyer Hamasin.
Aktualisht presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po zhvillon një vizitë shtetërore dy-ditore në Mbretërinë e Bashkuar, ku u prit nga Mbreti Charles III në Kështjellën Windsor. Vizita synon të forcojë lidhjet transatlantike, pavarësisht dallimeve politike mbi çështje si lufta në Ukrainë, Lindja e Mesme dhe e ardhmja e NATO-s.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




