Britania e Madhe paralajmëron Izraelin të mos hakmerret kundër përpjekjes për shtetësinë e Palestinës

Britania e Madhe ka paralajmëruar Izraelin të mos hakmerret kundër përpjekjes për shtetësinë e Palestinës. Deklarata e sekretares së jashtme Yvette Cooper vjen një ditë pas vendimit zyrtar të Britanisë për njohjen e Palestinës si shtet.
Pyetur mbi shqetësimet nëse Izraeli do e përdor vendimin e Britanisë, si pretekst për aneksimin e pjesëve të Bregut Perëndimor, Cooper tha se ka qenë e qartë me homologun izraelit se nëse një gjë e tillë ndodh, do jetë e patolurueshme.
“Ne kemi qenë të qartë se ky vendim që po marrim ka të bëjë me mënyrën më të mirë për të respektuar sigurinë për Izraelin, si dhe sigurinë për palestinezët. Bëhet fjalë për mbrojtjen e paqes dhe drejtësisë dhe, mbi të gjitha, sigurinë për Lindjen e Mesme dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë në rajon për ta bërë këtë”, deklaroi Cooper.
Kjo e fundit theksoi se ekstremistët nga të dyja palët po kërkonin të braktisnin çdo perspektivë të një zgjidhjeje me dy shtete, të cilën Mbretëria e Bashkuar kishte një detyrim moral ta ringjallte.
“Gjëja më e lehtë për t’u bërë do të ishte thjesht të largoheshim dhe të thoshim se është shumë e vështirë. Ne thjesht mendojmë se kjo është e gabuar kur kemi parë kaq shumë shkatërrime, kaq shumë vuajtje”, tha Cooper.
Një ditë më parë, kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës në një deklaratë video të shpërndarë në rrjetet sociale.
“Në përballje me tmerrin në rritje në Lindjen e Mesme, ne po veprojmë për të mbajtur gjallë mundësinë e paqes dhe zgjidhjes me dy shtete,” tha Starmer.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




