Bruksel/ Komisionerja për Zgjerimin, Kos: BE-ja synon mbylljen e negociatave me Shqipërinë në vitin 2027, vendi hyn në një fazë të re

Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian ka shënuar një moment kthese në procesin e integrimit, duke zyrtarizuar plotësimin e piketave të ndërmjetme për grup-kapitullin “Themelorët” (Fundamentals). Ky hap teknik, i vlerësuar si një gur kilometrik nga përfaqësuesit e Brukselit, zhbllokon procesin e mbylljes së kapitujve në të gjitha fushat e politikave, duke i hapur rrugë një faze të re, më sfiduese dhe më kërkuese të negociatave.
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e përshëndeti arritjen e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si fryt të një pune të madhe dhjetëvjeçare. Ajo veçoi rolin e institucioneve të reja të drejtësisë, duke e vlerësuar SPAK-un si suksesin më të madh të reformës.
“SPAK ka vërtetuar se mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besuar i Shqipërisë. Kjo reflekton mbështetjen e fortë të popullit shqiptar për reforma të thella në sistemin e drejtësisë,” deklaroi Kos.
Komisionerja theksoi se Bashkimi Evropian mbështet vizionin e palës shqiptare për përmbylljen e plotë të negociatave brenda vitit 2027, duke paralajmëruar se tashmë pritshmëria kryesore zhvendoset te zbatimi i qëndrueshëm i reformave.
Në emër të Presidencës së Këshillit, Zëvendësministrja qipriote për Çështjet Evropiane, Marilena Raouna, u shpreh se zgjerimi mbetet një përparësi strategjike, por paralajmëroi se faza e ardhshme kërkon më shumë se miratim ligjesh.
“Progresi nuk matet vetëm me miratimin e reformave apo të legjislacionit, por me zbatimin e tyre efektiv, me një bilanc të konsoliduar dhe me rezultate që janë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme,” nënvizoi Raouna.
Sipas përfaqësuesve të BE-së, faza ku hyn Shqipëria është thelbësore, pasi përmbushja e kushteve për “Themelorët” (sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat themelore) shërben si barometër për të gjitha fushat e tjera. Të dyja përfaqësueset bënë thirrje që energjia pozitive e kësaj arritjeje të shfrytëzohet për të përfshirë të gjithë spektrin politik dhe shoqërinë civile në një përpjekje gjithëpërfshirëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



