Bruksel, zyrtarët e lartë të BE-së vlerësojnë besueshmërinë e SPAK-ut, Gonzato: Ruajtja e rezultateve edhe nën drejtimin e ri në vitin 2026

Kryeprokurori i Posaçëm i Shqipërisë, Altin Dumani, zhvilloi një vizitë dyditore në Bruksel, duke u takuar me zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian dhe agjencive kryesore të BE-së. Takimet dëshmuan vlerësimin e lartë të Bashkimit Evropian për progresin dhe qëndrueshmërinë e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Gjatë qëndrimit, Kryeprokurori Dumani takoi Drejtorin e Përgjithshëm të DG NEAR, Gert Jan Koopman; Drejtoreshën në detyrë të Përgjithshme në OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit), Salla Saastamoinen; Zëvendësdrejtoreshën e Përgjithshme të DG JUST, Irena Moozová, dhe shefat e kabineteve të Komisionerëve për Zgjerimin dhe Punët e Brendshme.
Në njoftimin për shtyp të publikuar nga zyra e BE-së në Tiranë rreth këtyre takimeve, bëhet e ditur se të gjithë bashkëbiseduesit theksuan vlerësimin e tyre për “forcën, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë” e SPAK-ut, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me agjencitë e BE-së dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, e cilësoi Bashkimin Evropian si një “mbështetës të fortë” të SPAK-ut dhe theksoi rëndësinë kritike të punës së tij.
“Ruajtja e rezultateve solide të SPAK-ut edhe nën drejtimin e tij të ri në vitin 2026 e më tej do të jetë kyçe për vazhdimin e progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE,” deklaroi ambasadori Gonzato.
Ai shtoi se kjo është thelbësore si për sigurinë e Shqipërisë, ashtu edhe për atë të BE-së, dhe për forcimin e sundimit të ligjit në vend.
Deklarata e Ambasadorit Gonzato përfshiu edhe një thirrje të qartë edhe për institucionet e tjera shqiptare.
“SPAK-u nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Edhe institucionet e tjera shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre,” ishte mesazhi i BE-së, duke theksuar nevojën për bashkërendim dhe mbështetje institucionale për punën e Prokurorisë së Posaçme në funksion të agjendës së integrimit evropian.
Vizita e Kryeprokurorit Dumani thekson vendosmërinë e SPAK-ut për të avancuar reformat në drejtësi dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, dy elemente kyçe të kërkuara nga Brukseli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.












