Bruna Mersini betohet si kryebashkiake e Vlorës
Në teatrin “Petro Marko” u zhvillua ceremonia e betimit të Bruna Mersinit si Kryetare e Bashkisë së Vlorës. Pjesëmarrës ishin autoritete të pushtetit vendor dhe deputetë të PS, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme.
Ceremoninë e udhëhoqi kryetarja e Këshillit Bashkiak, Elpiniqi Mërkuri. Ajo lexoi formulën e betimit, e cila e angazhon kryebashkiaken të udhëheqë me ndershmëri dhe përkushtim ndaj interesave të qytetarëve të Vlorës.
Kryebashkiakja e re shfaqi emocionet dhe krenarinë e saj si gruaja e parë në këtë post.
“Është mision, është përgjegjësi dhe një falënderim për të gjithë qytetarët e Vlorës, për ata që për vite kanë vlerësuar vizionin e Edi Ramës, dashurinë për qytetin. Jam besimplotë, sepse e mendoj punën të lehtë, pasi në këtë qytet ka projekte dhe vizione të një vlonjati që me qeverisjen e tij e transformoi Vlorën në një stad të ri zhvillimi,” tha Mersini.
Pas ceremonisë, zonja Mersini u prit nga administrata e bashkisë, duke marrë detyrën, pas dy muajsh që udhëhoqi Elis Halili, nënkryetar i komanduar.
RTSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




