“Bujqësia e zgjuar“, Universiteti prestigjoz hollandez modelon sektorin e bujqësisë në Korçë
Në bashkëpunim me Albanian-American Development Foundation (AADF), Universiteti prestigjoz Wageningen & Research në Hollandë do të zbatojë për herë të parë në Shqipëri modelimin në sektorin e bujqësisë, duke e nisur pikërisht nga Korça.
Ky projekt përfaqëson një hap të madh drejt transformimit eko-bujqësor, forcimit të kërkimit shkencor, përmirësimit të kurrikulave universitare dhe ndërtimit të kapaciteteve profesionale moderne në fushën e bujqësisë.
Takimet me përfaqësues të universitetit por edhe aktorë të tjerë të fushës së bujqësisë kanë nisur prej muajsh ndërsa pritet që në janar të nisë zbatimi i nismës.
“Është një universitet që ka ndryshuar të gjithë bujqësinë e Holandës. E ka bërë Holandën ndër vendet që eksporton prodhime bujqësore, ndër më të mëdhenjtë në botë. Ata do të marrin pjesë për të modeluar bujqësinë në qarkun e Korçës. Është stili i bujqësisë së zgjuar në të gjitha hallkat që mbulon bujqësia, në të gjitha institucionet. Do të ketë zhvillime të kurrikulave, të laboratorëve. Do të përfshihen edhe departamente të tjera që kanë të bëjnë me trajnimet në edukim, me trajnimin e fermerëve dhe trajnimin e specialistëve. Do të fitohet në këtë mënyrë një inovacion në fushën e bujqësisë,” u shpreh Lorenc Ekonomi, Rektor i Universitetit “Fan Noli” Korçë.
Universiteti i Holandës do të kryejë fillimisht një studim, ndërsa më pas do të përcaktojnë edhe modelin bujqësor që do të ndjekë qarku i Korçës për të pasur një bujqësi të pranueshme për Bashkimin Europian.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




