Buka me qiqër në Korçë, tradita që vazhdon prej shekujsh

Aktualitet | 2 muaj më parë

Furrat kanë qenë pjesë e pandarë e jetës së Korçës prej qindra vitesh. Rreth vitit 1850, qyteti kishte një sërë furrash në Varosh, Kasaba dhe në Çarshinë e dikurshme, ku përveç bukës përgatiteshin edhe tava, gatime me mish, fasule, paçe e ushqime të tjera tradicionale.

Dokumentet historike tregojnë se në atë periudhë furrat e Korçës përgatisnin lloje të ndryshme buke, mes tyre edhe bukën me qiqra, e cila përgatitej me miell qiqrash dhe miell gruri. Kjo traditë, që i ka rezistuar kohës, vazhdon të ruhet edhe sot në disa furra të qytetit.

Një prej atyre që e mban gjallë këtë zanat është Petrika Pitushi, i cili prej vitesh ushtron profesionin e furrxhiut dhe vijon të përgatisë bukën sipas mënyrës tradicionale.

“Kjo furrë ka që në 1900 që funksionon, që prodhon bukën me qiqe, edhe e ka pasur ushtar edhe pastaj, siç shkuan në Amerikë, po e trashëgoj unë tani profesionin në të njëjtën furrë. Unë jam marrë që fëmijë dhe po vazhdoj aktivitetin. Kam 52 vjet në këtë lloj profesioni”, tha ai.

Mes produkteve që ai ruan është edhe buka me qiqra, e përgatitur me recetën e dikurshme, duke ruajtur shijen dhe mënyrën tradicionale të gatimit. Buka me qiqra, e përgatitur sipas recetës së vjetër, mbetet një dëshmi e shijshme e historisë dhe identitetit të Korçës.

Sot, në një kohë kur shumë zanate tradicionale po zhduken, puna e furrxhinjve si Petrika Pitushi tregon se tradita mund të mbijetojë kur receta, mjeshtëria dhe përkushtimi përcillen nga brezi në brez.

Gazetare: G. Manushi 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme