Çako nga ura e Mifolit: Vjosa nën kontroll, gjithë sistemi i emergjencave në gatishmëri

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka inspektuar situatën në urën e Mifolit, në zonën e Novoselës, ku prurjet e lumit Vjosa janë të larta për shkak të reshjeve të ditëve të fundit, por shton se situata është ende nën kontroll.
Çako u shpreh se të gjitha strukturat e mbrojtjes civile ndodhen në gatishmëri të plotë.
“Jemi në pikën më nevralgjike të shkarkimit të Vjosës. Nivelet janë në rritje, por vlerësimet bëhen mbi matjet e prurjeve në Përmet dhe Memaliaj. Në Përmet ka shënuar ulje të nivelit të ujit, megjithatë të gjitha mjetet dhe strukturat janë në dispozicion,” u shpreh ai.
Sa i përket motit, Çako tha se pasditen e sotme priten reshje me intensitet të lartë në zonën bregdetare, por theksoi se kjo nuk do të ketë impakt në rritjen e nivelit të Vjosës.
Ai siguroi se sistemi i mbrojtjes civile mbetet i përgatitur për të menaxhuar çdo situatë që mund të paraqitet.
“I gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në gatishmëri për të menaxhuar e situatave të reshjeve në të gjithë vendin. Të gjitha strukturat dhe mjetet janë në dispozicion si në nivel vendor dhe në nivel kombëtar”, tha Çako.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




