Çela dhe Dumani vizitë zyrtare në Belgjikë, takime me Prokuroren e Përgjithshme Federale, Ann Fransen

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, kreu i SPAK, Altin Dumani dhe përfaqësues të tjerë të këtyre prokurorive, kanë zhvilluar një takim pune me Prokuroren e Përgjithshme Federale të Belgjikës, Ann Fransen, në datat 18-19 nëntor, në Bruksel, Belgjikë.
Diskutimet mes tyre u fokusuan në çështje që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, hetimet financiare, pastrimin e produkteve të veprës penale, përdorimin e kriptomonedhave në aktivitete kriminale, koordinimin e hetimeve dhe ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore. Gjithashtu në takim, u trajtuan çështje të ndihmës juridike, përfshirë ekzekutimin e vendimeve penale dhe letërporosive.
Pjesëmarrësit në takim vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm dhe nënvizuan rëndësinë për zgjerimin e mëtejshëm të tij përmes shkëmbimit më të gjerë të informacioneve, me qëllim hetimin e plotë të aktiviteteve kriminale që prekin të dy vendet.
Ndërkohë u diskutua edhe mbi hapësirat ligjore për përmirësimin e mëtejshëm të nivelit të koordinimit, sidomos në drejtim të zbatimit efikas të legjislacionit antimafia, me qëllim sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale ndaj subjekteve të hetuar ose të dënuar në të dy vendet.
Takimi koordinues u zhvillua në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara mes palëve si dhe në vijim të takimeve që u mbajtën vitin e kaluar në Tiranë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




