Celibashi: Aplikojmë Inteligjencën Artificiale në zgjedhjet e 9 Nëntorit. Nuk zëvendëson numërimin, ndihmon procesin
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi njoftoi gjatë konferencës rajonale se në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të aplikohet për herë të parë përdorimi i inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor në Shqipëri.
Gjatë konferencës me temë “Mbikëqyrja e Digjitalizimit në Proceset Zgjedhore: Drejt Konvergjencës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, Celibashi deklaroi se ky projekt do shërbejë si test, dhe nuk do të zëvendësojë mënyrën e numërimit dhe vlerësimit të votave e cila do mbetet mënyra zyrtare e referimit për këtë aspekt të procesit zgjedhor.
“Kemi filluar në versionin eksperimental përdorimin e Inteligjencës artificiale për kërkimin dhe marrjen e informacioneve zgjedhore nëpërmjet faqes së internetit të KQZ dhe për të kërkuar ofruar asistencë dhe ofruar facilitet për administratën zgjedhore mundësi për ta marrë e olërpunuar informacionin.
Në 9 nëntor të këtij viti do mbahen zgjedhjet e pjesshme. Stafi i KQZ po punon për të aplikuar për herë të parë përdorimin e AI në numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit dhe nxjerrjen e rezultateve. Ky projekt do shërbejë si test dhe për momentin nuk do zëvendësojë mënyrën e numërimit dhe vlerësimit të votave e cila do mbetet mënyra zyrtare e referimit për këtë aspekt të procesit zgjedhor”, deklaroi Celibashi.
Celibashi theksoi gjithashtu se Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka aplikuar votimin elektronik dhe një nga të paktët që ka zbatuar në mënyrë të plotë identifikimin biometrik të zgjedhësve në 100% të QV-ve që prej vitit 2021.
Ai përmendi gjithashtu zhvillimin e një sërë platformash digjitale nga KQZ-ja që nga viti 2022, përfshirë: mbikëqyrjen financiare të partive, regjistrimin e votuesve të diasporës, denoncimet dhe ankimimet zgjedhore, trajnimin online të administratës zgjedhore, dhe raportimin institucional gjatë fushatës.
Në përfundim, Celibashi nënvizoi se qytetarët shqiptarë kanë treguar qasje pozitive ndaj teknologjisë, ndërsa KQZ mbetet e angazhuar për të çuar më tej procesin e digjitalizimit zgjedhor, në përputhje me standardet e BE-së dhe kërkesat e një demokracie funksionale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




