Cenimi i perimetrit të sigurisë në Shëngjin / Ministri Lamallari: Plazhet janë për familjet, jo për aventurierët. Siguria nuk negociohet!

Aktualitet | 3 muaj më parë

Ndërhyrja e menjëhershme e autoriteteve policore pas denoncimeve të qytetarëve ka çuar në bllokimin e një mjeti lundrues dhe gjobitjen e drejtuesit të tij në plazhin e Shëngjinit, pasi ky i fundit shkeli perimetrin e sigurisë ujore duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e pushuesve.

Ngjarja nxiti reagimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i cili nëpërmjet një deklarate publike nënvizoi rëndësinë e zbatimit të rregullave të sigurisë gjatë sezonit turistik.

Tolerancë zero ndaj shkelësve të perimetrit të sigurisë

Pas verifikimit të rastit të denoncuar, ndaj subjektit përgjegjës u vendos masa administrative prej 500 mijë lekësh të reja, si dhe u bë bllokimi i menjëhershëm i mjetit lundrues.

Ministri Lamallari nërmjet një reagimi zyrtar nënvizoi se zona bregdetare mbetet e destinuar vetëm për pushuesit dhe se çdo veprim aventuresk do të ndëshkohet pa asnjë hezitim.

“Plazhet tona janë për familjet dhe pushuesit, jo për aventurierët që luajnë me jetën e të tjerëve si ky këtu në Shëngjin. Kush sfidon ligjin dhe vë në rrezik shëndetin dhe jetën e turistëve për aventurat e tij, do të përballet me pasojat pa asnjë tolerancë dhe vonesë. Nuk do të ketë as paralajmërime, as justifikime.”, shkruan Besfort Lamallari, Ministër i Punëve të Brendshme në rrjetet sociale.

Sipas kreut të Ministrisë së Punëve të Brendshme, reagimi i shpejtë i strukturave të rendit erdhi edhe si rezultat i bashkëpunimit me publikun dhe pasqyrimit mediatik të shkeljes në hapësirën detare.

“Falënderoj qytetarët për besimin dhe raportimin e rasteve të tilla si dhe mediat për ekspozimin e tyre. Siguria e pushuesve nuk negociohet!”, theksoi ai.

Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare do të vijojnë me intensitet të lartë, me fokus të veçantë respektimin e strikt të korridorëve të lundrimit dhe distancës minimale nga bregu i detit për mjetet motorike ujore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme