Çerdhe e re për fëmijët e Tropojës, Bashkia në përgatitje për nisjen e vitit të ri shkollor

Arsim | 2 muaj më parë

Fëmijët e qytetit të Bajram Currit kanë tashmë në dispozicion një çerdhe tërësisht të re. Hapësirat e bollshme të këtij objekti e bëjnë atë multifunksional dhe të këndshëm për të gjithë kohën e qëndrimit të fëmijëve në çerdhe. Kryetari i Bashkisë, Rexhë Byberaj, tha se ky investim u bë i mundur falë bashkëpunimit të këtij institucioni me bizneset, që ofruan kompletimin e çerdhes me të gjithë bazën e nevojshme materiale e didaktike.

“Do të jetë një mrekulli e vërtetë për qytetin e Bajramcurit përfundimi i këtij objekti social, siç është çerdhja, e cila ka qenë mjaft e domosdoshme. Ky projekt ka qenë një përkushtim i jashtëzakonshëm i dy biznesmenëve, të cilët kanë bërë të mundur furnizimin me të gjithë bazën materiale të nevojshme për këtë objekt social”, u shpreh Kryetar i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberaj.

Hapësirat e dedikuara janë me të gjithë bazën e nevojshme, ambientet e argëtimit, ambientet për argëtimin e fëmijëve, një kuzhinë me të gjithë aksesorët e nevojshëm për gatim, servirje dhe konsum të ushqimit. I gjithë aktiviteti ditor monitorohet nga sistemi me kamera dhe kushtet e sigurisë në rastet e avarive të mundshme. Paralelisht me objektin e çerdhes së re, Bashkia e Tropojës po përfundon edhe procesin e ndërhyrjeve dhe riparimeve në objektet arsimore, në përgatitje të vitit të ri shkollor 2026–2027.

“Bashkia e Tropojës dhe administrata e saj po përgatiten për sezonin e ri, për hapjen e vitit të ri shkollor. Kemi zhvilluar një takim së bashku me të gjithë drejtorët dhe drejtuesit e njësive administrative, me qëllim që të bëjmë të mundur që edhe viti shkollor që vjen të jetë i mbarë dhe të plotësojmë të gjitha kushtet e kërkuara për nxënësit tanë të mrekullueshëm”, tha ai.

Bashkia e Tropojës aktualisht ka 35 shkolla, nga të cilat 1 gjimnaz, 6 shkolla të mesme të bashkuara, 22 shkolla 9-vjeçare dhe 6 shkolla fillore. Në qytetin e Bajram Currit janë edhe dy objekte të arsimit parashkollor, pra bëhet fjalë për dy kopshte dhe një çerdhe fëmijësh.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme