Champions/ Mourinho rigjen Romën dhe Gasperinin: Trajneri më i vështirë për mua!

Stadiumi “Olimpico” pret sfidën mes italianëve dhe Real Madrid në Champions League. Do të jetë kapitulli i 11-të i rivalitetit mes dy trajnerëve.
Kundërshtarë për një natë, por kurrë armiq. Jose Mourinho rikthehet në “Olimpico” për herë të parë nga koha kur ishte trajner i Romës. Për një natë “Special One” do të jetë rival i një skuadre që e ka drejtuar 138 ndeshje dhe një populli, të cilit i ka hyrë në zemër. Portugezi së fundi ka folur me vlerësim për tifozët e Romës.
“Kanë qenë spacialë me mua. Kur zbrita nga avioni për herë të parë, ishin mijëra njerëz që më prisnin. Nuk kisha bërë asgjë akoma për ta, asnjë ndeshje, asnjë pikë. Roma është kështu, e kuptova më pas. Romanët panë që për mua ekzistonte vetëm diçka, që ishte Roma, ishin ata. Kam luftuar, kam dhënë gjithçka”, – është shprehur trajneri i Real Madrid.
Pavarësisht kësaj ndjesie, Mou nuk pret ndonjë pritje të veçantë, por respekt për atë që ka qenë. Tani, në atë që ishte stoli i tij, është Gian Piero Gasperini, për të cilin portugezi në 2008-ën, pas një ndeshje Inter-Genoa, ka thënë: “Më i vështiri, kundër të cilit kam luajtur ndonjëherë. Ndërrova modul 5 herë dhe ai po kaq herë m’u përgjigj. Ishte vërtet një betejë.”
Komplimente për trajnerin Gasperini ka bërë edhe një emër tjetër i madh, Pep Guardiola, duke u shprehur se të përballej me Atalantën e trajnerit aktual të Romës “është e sikletshme si të shkosh te dentisti”.
Gasperini dhe Mourinho janë përballur më pas edhe 9 herë të tjera. Bilanci është pozitiv për portugezin, me 5 humbje, 3 barazime dhe 2 humbje. “Special One” në 3 ndeshjet e fundit nuk ka fituar asnjëherë (1 barazim dhe 2 humbje). Te Roma shpresojnë që seria e Gasperinit të vazhdojë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




