Christine Lagarde largohet nga drejtimi i BQE-së në shkurt 2027, disa muaj para përfundimit të mandatit, banka mban të pandryshuara normat e interesit

Christine Lagarde do të largohet nga drejtimi i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) më 7 shkurt 2027, disa muaj para përfundimit të mandatit të saj. Lajmin e bëri të ditur vetë presidentja e BQE-së më 29 tetor, ndërsa në të njëjtën ditë institucioni vendosi të mbajë të pandryshuara normat bazë të interesit.
Vendimi për largimin e parakohshëm u është komunikuar anëtarëve të Këshillit Drejtues të BQE-së dhe presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa. Pas largimit të Lagarde, pasuesi i saj do të emërohet nga Këshilli Evropian, në përputhje me procedurën e parashikuar në Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian.
Në një videomesazh, Lagarde e cilësoi drejtimin e institucionit si një privilegj të madh dhe falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në përmbushjen e misionit të tij në Evropë.
“Ka qenë një krenari e madhe dhe një privilegj i jashtëzakonshëm t’i shërbeja këtij institucioni. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar, më kanë mbështetur dhe kanë çuar përpara misionin tonë në Evropë”, u shpreh ajo.
I have just informed my colleagues that I will step down as @ECB President on 7 February 2027.
It has been a source of great pride to serve this institution.
I thank all of those who have supported me on this journey over the past seven years. https://t.co/eSLLTaDAej
— Christine Lagarde (@Lagarde) October 29, 2026
Lagarde tha se synimi i saj ka qenë të garantojë stabilitetin e çmimeve dhe stabilitetin financiar, duke shtuar se largohet me bindjen se ka bërë një punë të mirë dhe se BQE-ja është e përgatitur për të ardhmen.
Sa i përket politikës monetare, BQE-ja vendosi t’i mbajë të pandryshuara të tria normat kryesore të interesit. Norma e depozitave mbetet në 2,50%, ajo për operacionet kryesore të rifinancimit në 2,65%, ndërsa norma për huadhënien marxhinale në 2,90%.
Në deklaratën pas vendimit, Banka Qendrore paralajmëroi se kushtet e financimit janë shtrënguar që nga mbledhja e fundit dhe se kjo mund të ndikojë si në inflacion, ashtu edhe në rritjen ekonomike. Megjithëse kriza energjetike vazhdon të ushtrojë presion mbi ekonominë, BQE-ja vlerësoi se inflacioni bazë ka mbetur përgjithësisht i qëndrueshëm dhe pagat nuk kanë reaguar ndjeshëm deri më tani.
Largimi i Lagarde vjen në një periudhë pasigurie ekonomike dhe financiare për eurozonën, ku rritja e kostove të energjisë dhe tensionet në tregjet financiare po ndikojnë në vendimmarrjen e bankave qendrore. Emërimi i pasuesit të saj pritet të nisë menjëherë, me synimin për të siguruar një kalim të rregullt të drejtimit të institucionit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




