Çiklizëm, turi i Shqipërisë është gati për nisje

Turi i Shqipërisë në çiklizëm tashmë ka mbërritur në edicionin e tij të 82-të. Një garë çiklistike e cila nis këtë të hënë për të përfunduar të premten e ardhshme. Ndryshe nga edicionet e tjera këtë herë do të shkohet fillimisht drejt Veriut. Pra etapa e parë Tiranë – Shkodër e gjatë 151.778 kilometra duke devijuar në Milot për të shkuar në Rrëshen e për t’u kthyer përsëri drejt Lezhës, Gjadërit e për të mbërritur më pas në Shkodër.
E dyta nga Shkodra në Elbasan me një gjatësi prej 188.089 kilometra, që është etapa më e gjatë e këtij turi. Që do të thotë se nga Shkodra do të shkohet në Vorë më pas drejt Durrësit, Kavajës, Peqinit për të mbërritur në Elbasan. Etapa e tretë të mërkurën e 28 majit nga Elbasani në Vlorë me një gjatësi prej 149.010 kilometra me kalim nga zona e Dumresë në Kajan më pas në segmentin Berat – Lushnjë kthim në Savër dhe drejt Fierit e përfundimisht në Vlorë.
E parafundit Vlorë – Vlorë me të njëjtin itinerar si në Giro d’Italia 2025 në etapën e tretë. Pra kalimi në rrugën e Lumit të Vlorës, më pas në rrugën e Breut dhe përfundimi në Vlorë në një gjatësi prej 153,545 kilometra. E fundit Vlorë – Fier aty ku dhe do të shpallet fituesi zyrtar i Turit të 82-të çiklistik të Shqipërisë. Janë shmangur këtë edicion pedalimet drejt Korçës, apo Përmetit.
Një garë që është përfshirë prej vitesh në kalendarin e Federatës Botërore të Çiklizmit, atje ku 15 skuadrat pjesëmarrëse do të sjellin 106 çiklistë. Përveç kombëtares së Shqipërisë dhe të Kosovës, apo dhe ekipit të Tiranës, pjesëmarrës do të jenë dhe nga Arabia Saudite, Bullgaria, Greqia, Holanda, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe dhe Italia.
Fituesi në fuqi është Velko Stojniç, kurse të dielën në mbrëmje në Tiranë do të bëhet dhe prezantimi i skuadrave pjesëmarrëse.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




