Çiklizmi dhe kampionët individualë

Sport | 1 vit më parë

Belshi është kthyer përsëri në qendrën e çiklizmit. Sërisht për kampionatin kombëtar individual, i ndarë në dy ditë, të enjten gara e kronometrit dhe të premten gara e rrugës. Është konkurruar për kadetë, të rinj dhe të reja, të rritura, Elitë dhe U-23. Itinerari i garës ka qenë i njëjtë pra nga Belshi në Grekan. Më pas në Dëshiran, Dumre, Kodrat e Lulit e kthim. Gjithçka ishte në formë cirkuiti, kurse për kadet gjatësia e garës ishte 73.2 kilometra. Për junior 97.6 kilometra dhe për Elitë dhe U-23 146.4 kilometra.

Fituesi i garës për kadet është Nicolas Persiani i Elbasanit në kohën 1h40’05. Për junior në vendin e parë Leo Piku i Studentit me kohën 1h47’57”. Nelia Kabetaj dhe Nikol Dollaku kanë ndarë vijën e finishit bashkë. E para, që përfaqëson Studentin, është fituese për të rritura, kurse e dyta, nën siglën e Flamurtarit, për të rejat. Koha e të dyjave ishte 3h05’47’. Elitë dhe U-23 do të shkonte për Studentin dhe Lucas Sulaj Kloppenborg.

Në këtë mënyrë Kampionati Kombëtar individual ka ulur siparin nën masat e rrepta të marra nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit dhe Policia e Belshit, kjo si në bllokimin e rrugëve kur kalonin çiklistët, ashtu dhe në administrimin e gjithçkaje për sa i përket garës. Rrëbeshi i minutave të fundit në qendër të Belshit i detyroi drejtuesit e Federatës Shqiptare të Çiklizmit që ceremoninë e dorëzimit të trofeve të mos e bënin në qendër të qytetit, por në ambient të mbyllur.

 E megjithatë, pavarësisht kushteve atmosferike, atje ku i nxehti në gati 34 gradë celsius u bë bashkë me shiun e breshërin, Kampionati Kombëtar Individual u mbyll me sukses.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme