Çlirim Gjata për RTSH: Ja cilat janë shkeljet ligjore pas vendimit “Zhukri”

Zvarritja e procesit gjyqësor për t’i dhënë fund konfliktit të demokratëve është shoqëruar me një tjetër “padrejtësi” për grupimin e Berishës, gjykon eksperti ligjor pranë PD-së Çlirim Gjata.
Sipas argumentimit të tij ligjor, jo vetëm simbolet, por edhe financat e Partisë Demokratike duhet t’i kalonin Berishës dhe mbështetësve të tij, menjëherë pas vendimit gjyqësor “Zhukri”.
“Gjithçka që ka ndodhur nga 20 Prilli, kur ka marrë formë të prerë vendimi i Agron Zhukrit, sipas vendimit të Apelit, e deri më sot, gjithçka që është përfituar nga të tjerët duhet t’i kalojë Partisë Demokratike që ka njohur Agron Zhukri,” deklaron z. Gjata.
Në selinë blu është hedhur si ide auditimi i mënyrës së menaxhimit të fondeve të PD-së, nga Basha. Z. Gjata ka një sugjerim.
“Ato fonde ai duhet t’i kthejë. Pra ka ardhur një person nga rruga, ka marrë ca milionë euro që ka dashur dhe i ka shpenzuar. Kështu i bie!” shprehet ai.
Në intervistën për RTSH-në, z. Gjata analizoi edhe zhvillimet që mund të ndodhin në Kuvend nëse do të kërkohet djegia e mandatit parlamentar te kryedemokratit Sali Berisha, i cili prej datës 30 dhjetor është në arrest shtëpie.
“Afati 6-mujor kur nuk paraqitesh është kur e bën me vullnetin tënd, me vullnetin e deputetit, por jo për arsye që nuk varen nga ai. Nëse do të ndodhte kjo nga mazhoranca, do të vulosej fakti që SPAK ka marrë një vendim politik për arrestin e z. Berisha me urdhër të mazhorancës, se është hapur antikushtetues,” thotë eksperti.
Z. Gjata thotë se do të ishte antikushtetuese nëse do të ndërmerrej një iniciativë e tillë.
Ai e quan tërësisht politik edhe masën e arrestit pa akuzë të Berishës.
Sa i takon vendimit të Komisionit të Apelimit, që la në fuqi vendimmarrjen e shpalljes non grata të Berishës në Britaninë e Madhe, z. Gjata tha se kjo është një procedure që ndiqet para se çështja të shkojë për shqyrtim në gjykatë.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




