Çmimi Nobel për Mjekësi 2025 u jepet studiuesve që zbuluan qelizat rregullatore “T”, një revolucion në imunologji

Botë | 1 vit më parë

Çmimi Nobel për Mjekësi këtë vit i është dhënë tre shkencëtarëve, Mary E. Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi, për zbulimet e tyre të rëndësishme mbi tolerancën imunitare periferike, duke identifikuar qelizat T rregullatorë,  të cilat mbajnë në kontroll reagimet e sistemit imunitar.

Zbulimi i këtyre qelizave, të njohura si “Treg”, ka ndikuar ndjeshëm në kuptimin e mekanizmave që mbrojnë trupin nga sëmundjet autoimune, ndihmojnë në zhvillimin e imunoterapisë kundër kancerit, dhe luajnë rol thelbësor në parandalimin e ndërlikimeve pas transplantimeve të qelizave staminale.

Sipas njoftimit zyrtar nga Instituti Karolinska në Suedi, ku u shpallën fituesit, “ata kanë identifikuar rojet e sigurisë të sistemit imunitar, duke hedhur bazat për një fushë të re kërkimi që tashmë po sjell trajtime të reja për sëmundje të vështira”.

Fituesit do të ndajnë shumën prej 11 milionë kronash suedeze (rreth 1 milion euro), të njëjtën shumë si në dy vitet e fundit.

Kush janë fituesit?

Mary E. Brunkow, është kërkuese në Institutin për Biologjinë e Sistemeve në Seattle. Ajo identifikoi gjenin FOXP3, i lidhur me sindromën IPEX, një sëmundje e rëndë autoimune.

Fred Ramsdell, është drejtor i kërkimit në Institutin Parker për Imunoterapinë e Kancerit në San Francisko. Ai dhe ekipi i tij zbuluan se FOXP3 është thelbësor për zhvillimin e qelizave T rregullatore.

Shimon Sakaguchi, imunolog japonez dhe profesor emeritus në Universitetin e Osakës, ishte ndër të parët që zbuloi ekzistencën dhe funksionin e qelizave T rregullatore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme