Conferencë League, përfundon trajnimi për sigurinë

Finalja e Konferencë Ligë, e cila më 25 maj, në ora 21:00, do të zhvillohet në Arenën Kombëtare, tashmë ka angazhuar shumë palë, ndërsa janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për një organizim sa më perfekt, i pari i këtij lloji në Tiranë e Shqipëri. Të premten është përmbyllur me sukses trajnimi me temë me temë “Police training – Safety & Security” që Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me UEFA-n, organizoi ditë e fundit në Tiranë.
Gjithçka kishte të bënte me sigurinë e zhvillimit të finales, ndërsa në këtë aktivitet morën pjesë drejtues të nivelit të lartë të UEFA-s, Policisë së Shtetit, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, që do të jenë të angazhuara në mbarëvajtjen e finales së Konferencë Ligës.
Ky trajnim është në vazhdën e disa trajnimeve të organizuara në javët e fundit, që kanë në fokus sigurinë në stadiume dhe përgatitjes së autoriteteve ligjzbatuese për aktivitete të këtyre përmasave. Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i cili në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi vëmendjen e UEFA-s dhe institucioneve të përfshira në këtë proces dhe organizimin e kësaj ngjarjeje madhore për Shqipërinë.
Në përfundim të trajnimit zyrtarët e UEFA-s dhe FSHF-së shpërndanë edhe certifikatat për pjesëmarrësit. Ndërkohë në raundin gjysmëfinal dhe finalen e Konferencë Ligës, më 25 maj në Arenën Kombëtare, do të përdoret sistemi VAR. Gjithsesi, Federata Shqiptare e Futbollit është e angazhuar së bashku me të gjitha institucionet shtetërore për një zhvillim sa më të mirë të kësaj finaleje.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




