Covid-19, buxheti humbje 310 milionë euro nga pandemia për 11 mujorin

Për 11 muajt e këtij viti, në buxhetin e shtetit janë arkëtuar rreth 383 miliardë lekë, me një rënie prej 9.1% në krahasim me faktin e të njëjtës periudhë të një viti më parë. Si rrjedhojë e krizës në ekonomi të shkaktuar nga pandemia, të ardhurat në buxhet janë 38 miliardë lekë, ose 310 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke shkaktuar një humbje që është e barabartë me të ardhurat mujore të një viti të zakonshëm.
Në nëntor, të ardhurat në buxhet ishin 35.5 miliardë lekë, në rënie nga 39 miliardë lekë që u mblodhën në tetor, duke sinjalizuar për një përkeqësim të aktivitetit ekonomik me ardhjen e dimrit dhe për një frenim të konsumit. Rënien më të lartë për 11 mujorin e shënoi tatimi mbi të ardhurat personale që u tkurr me 29% (-12.4 miliardë lekë). Këtu ndikon edhe fakti që vitin e kaluar ky zë shënoi rritje të pazakontë për shkak të stimulit të uljes së tatimit të dividendit në 8% me efekt prapaveprues dhe për vitet e mëparshme.
Më pas vjen tatimi mbi fitimit, të ardhurat e të cilit ranë me 24% (-7.9 miliardë lekë), teksa për shumë kompani këstet e tatim fitimit janë shtyrë, si një stimul pas krizës ekonomike. TVSH-ja ka ngadalësuar ritmet e rënies, duke u tkurrur me 11.1%, ose 7.1 miliardë lekë më pak. Është ngadalësuar rënie edhe e të ardhurave të pushtetit vendor, që janë tkurrur me 9.1% me bazë vjetore për 11 mujorin. Taksa mbi pasurinë ka rënë me 2.9%, ndërsa ato lokalet me 11.3%. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore kanë shënuar një rënie minimale prej 1.3% (-0.9 miliardë lekë), në një sinjal që kriza e punës ka prekur më shumë të vetëpunësuar dhe ata me paga të ulëta. /monitor

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




