COVID-19/ Sejko: Masat e marra ofruan stimul monetar të nevojshëm për funksionimin normal të tregjeve financiare

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se pandemia e COVID-19 goditi ekonominë, por theksoi ai, pavarësisht këtyre goditjeve negative, masat e marra nga Banka e Shqipërisë ofruan stimulin monetar të nevojshëm për të mbështetur funksionimin normal të tregjeve financiare dhe për të siguruar fluksin e kredisë në ekonomi.
Sipas tij, normat e interesit për individët dhe bizneset janë në nivele të ulëta, presionet për likuiditet janë nën kontroll, ndërsa kursi i këmbimit është i qëndrueshëm.
Deklarata e guvernatorit Sejko u bë gjatë workshop-it XIV të Kërkimeve Ekonomike për Europën Juglindore. Ky workshop synon të ofrojë një forum diskutimi të punëve dhe projekteve kërkimore të kryera nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2020, dhe të nxisë shkëmbimin e pikëpamjeve midis kërkuesve të Bankës së Shqipërisë dhe kërkuesve nga bankat qendrore të rajonit e më gjerë, si dhe nga akademia vendase dhe e huaj, mbi rezultatet e kërkimit shkencor për çështjet e lidhura me aktivitetin e bankave qendrore.
“Sistemi bankar shqiptar mbetet i shëndetshëm, pavarësisht sfidave me të cilat po e përball pandemia. Masat operacionale të menjëhershme të ndërmarra nga bankat, si dhe masat mikro dhe makroprudenciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, siguruan jo vetëm vazhdimësinë e kryerjes së funksioneve kritike të bankave, por gjithashtu ndërmjetësim financiar të kënaqshëm, pavarësisht goditjes së rëndë që pësoi ekonomia. Kredia për ekonominë po rritet (ajo u rrit me 6.3% në tremujorin e tretë të vitit 2020), kapitali është i mjaftueshëm dhe bilancet e bankave mbeten të shëndetshme, duke sinjalizuar aftësinë e tyre për t’i përballuar goditjet e raundit të parë. Ne jemi optimistë se aktiviteti ekonomik pritet të rigjallërohet në dy vitet e ardhshme. Megjithatë, parashikimi ekonomik për të ardhmen shoqërohet nga një nivel i lartë pasigurie dhe rreziqe të kahut të poshtëm. Në periudhën afatshkurtër, këto rreziqe lidhen më së shumti me pasigurinë e vetë pandemisë, ashpërsinë e saj, kohëzgjatjen dhe rikthimin e mundshëm të masave kufizuese. Në periudhën afatgjatë, rreziqet lidhen me dëmtimin afatgjatë mbështetur nga kapacitetet prodhuese dhe kërkesa e brendshme, si dhe nga ndryshimi i mundshëm strukturor në ekonomi, si rezultat i sjelljes së ndryshuar të agjentëve ekonomikë. Ne jemi të sigurt se evidencat, analizat dhe parashikimet e bazuara në punën kërkimore do të ofrojnë informacionin e saktë dhe në kohë për orientimin dhe koordinimin e politikës”, deklaroi Sejko.
Bankat qendrore jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, duke u mbështetur në analizat dhe përfundimet e kërkimeve, janë në proces rishikimi të objektivave të tyre dhe të politikës monetare, ndaj po rishkruajnë ekonomiksin monetar, si një instrument të ri.
Në prani të pengesave aktuale të hasura, bankat qendrore duhet të reagojnë dhe të gjejnë rrugë të reja për të mbështetur ekonominë.
Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko ftoi fushën e kërkimit të udhëheqë rishikimet dhe modelet, në funksion të politikave ekonomike të qëndrueshme që mund të nxisin rritjen ekonomike, në prani të stabilitetit të çmimeve dhe të sistemit financiar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




