“Dashurohesh, lëndohesh, zhgënjehesh”, Enxhi Nasufi flet për sfidat e vitit të fundit dhe frymëzimin për këngën në Fest64
Enxhi Nasufi prezantohet për herë të katërt në Festivalin e Këngës në RTSH, Fest 64.
E ftuar në emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, këngëtarja zbulon më shumë nga kënga “Dritë”, tekstin e së cilës e ka shkruar vetë.
“Kam bashkëpunuar me Kledi Bahitin, i cili është i jashtëzakonshëm. Në momentin e parë që kam dëgjuar demon i thashë që këtë këngë e dua për Festival. Kisha dy vite që e mendoja rikthimin dhe ky ishte momenti i duhur. Nuk m’u desh ta mendoja gjatë”.
Kënga flet për dritën që njerëzimi në mbarë botën ka nevojë sot.
“Duhet ta prekësh errësirën, ta ndjesh atë, të të dhembë, pastaj të ndriçohesh. Ne njerëzit i harrojmë shpejt gjërat që na ndodhin në jetë por kjo nuk duhet. Që ta kuptojmë vlerën e dritës duhet të kalojmë disa vështirësi dhe sfida në jetë”.
Megjithatë bulëza që frymëzoi krijimin e kësaj kënge është një përjetim personal i Enxhit.
“Drita është për veten time, për atë çka unë kam kaluar. Është edhe për mamanë time, për atë çka ajo ka kaluar në jetë. Unë do kisha dashur shumë që mamaja ime të kishte dashur më shumë veten”.
Kënga konkurruesë në Fest64 është një himn për jetën dhe forcën.
“Unë i këndoj vetes sime, që unë jam e fortë, mund ta mbroj veten time, unë e kam mbajtur veten time në këmbë, të gjallë dhe me frymë përtej çdo vështirësie dhe errësire. Më ka mbajtur mamaja ime, dhe na ka mbajtur fëmija ynë i brendshëm. Ndoshta mamaja ime e ka harruar pak fëmijën e brendshëm po unë nuk dua ta harroj. Ndonjëherë edhe mua më është larguar ky fëmijë i vogël. Për veten time dhe për mamanë time, fëmijën e brendshëm e rikthej unë”.
Enxhi rrëfen se gjatë karrierës së saj është rrëzuar por ka ditur të ngrihet sërish.
“Kam menduar që mund të bëj më shumë, meritoj më shumë, por nuk kam hequr dorë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe më ka dhënë shumë forcë”.
Këngëtarja ndalet veçanërisht tek vështirësitë që ka kaluar vitin e fundit.
“Ky vit ka qenë shumë i fuqishëm emocionalisht për mua. Dashurohesh, lëndohesh, zhgënjehesh nga njerëz që ti i do shumë. Kupton që e gjithë kjo është pjesë e jetës. Por ajo që është më me vlerë dhe ka më shumë rëndësi është që çdo gjë që ka ndodhur ka pasqyruar fuqinë dhe potencialin tim më të madh. Shumë gjëra që kanë ndodhur gjatë vitit të fundit më bënë t’i rikthehem muzikës dhe të shkruarit të këngëve. Nëse ka një gjë që është e sigurt, muzika më ka shpëtuar gjithmonë”.
E pyetur se si ka reaguar nëna e saj pasi ka dëgjuar këngën, Enxhi përgjigjet: “Mami preket shumë. Unë jam vetëm me mamin. Gjithë këto vite të jetës kemi qenë shumë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Ndonjëherë ia kursej emocionet e forta sepse i bëjnë dëm, mezi i përballon. Duke qenë hap pas hapi në çdo sfidë dhe vështirësi që kam pasur, ne të dyja jemi shumë të forta bashkë. Ajo e di kush jam unë. Jam në një pikë që jo vetëm dua t’i kthej asaj atë që ka bërë, por dua që ajo t’i rikujtojë vetes se ççfarë do të thotë ta dojë veten e saj më shumë. Të përpiqem të jem forcë, të ngre veten time, dhe nëpërmjet kësaj t’i shëroj mamit tim plagë që s’ka mundur t’i shërojë gjatë gjithë jetës së saj”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




