Debate të forta në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, miratohet Akti Normativ për inspektimin e territorit, opozita akuza për centralizim

Politikë | 12 muaj më parë

Komisioni i Kuvendit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, i drejtuar nga Blendi Klosi, miratoi sot Aktin Normativ, i cili sjell ndryshime të rëndësishme në ligjin “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”. Akti u prezantua nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Julian Hodaj, por shkaktoi debate të forta me deputetin e opozitës, Xhelal Mziu.

Objektivat e qeverisë: Forcimi i kontrollit dhe përgjegjshmërisë

Zëvendësministri Hodaj theksoi se Akti Normativ, përmes 10 neneve, synon rritjen e eficiencës, transparencës dhe përgjegjshmërisë në inspektimin e territorit, duke mbrojtur qytetarët, pyjet dhe ujërat nga ndërhyrjet e paligjshme.

Ndër risitë kryesore të prezantuara nga Hodaj janë:

Përfshirja e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), që do të veprojë si sekretariat teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, duke marrë pjesë në monitorimet e IKMT-së dhe duke pasur mundësinë të sanksionojë shkeljet me gjoba.

Afati për dhënien e vendimeve për lejet e ndërtimit të mos jetë më shumë se 10 ditë. Në rastet e flagrancës, vendimi për ndërtimet pa leje do të jetë i menjëhershëm.

Parashikohet largimi i menjëhershëm nga puna dhe kallëzim penal për punonjësit që kryejnë verifikime të kundërligjshme.

“Këto ndryshime synojnë të sigurojnë një bashkëpunim më të ngushtë institucional dhe një inspektim më të efektshëm të territorit,” theksoi Hodaj.

Akuzat e opozitës: Cenim i autonomisë dhe centralizim

Deputeti i opozitës, Xhelal Mziu, e cilësoi aktin si “të paprecedent” dhe sulmoi centralizimin e kompetencave. Ai argumentoi se akti bie ndesh me reformën e decentralizimit të vitit 2014, duke cenuar autonominë e pushtetit vendor.

Mziu ngriti pikëpyetje të forta mbi nevojën për të krijuar një mekanizëm të tretë mbi Inspektoratet ekzistuese (IMT dhe IKMT).

“Qeveria bleu dy satelitë me 6.2 milion euro për monitorim, dhe përdor dronët Bajraktar. Cili ka qenë produkti konkret i këtyre mjeteve dhe pse po krijohet një institucion i tretë mbi inspektoriate të tjera?” pyeti Mziu.

Nga ana e tij, Zëvendësministri Hodaj e mohoi centralizimin, duke shpjeguar se roli i Agjencisë së re është bashkërendues dhe koordinues, jo mbivendosës i kompetencave.

Pavarësisht debatit, Akti Normativ u miratua me shumicë votash nga anëtarët e Komisionit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme